Maleeha Lodhi
Autorja është ish-ambasadore e Pakistanit në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kombet e Bashkuara.
Sipas sondazhit më të fundit të Economist/YouGov, niveli i mbështetjes për presidentin Donald Trump ka rënë në pikën më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sondazhi konstatoi se 62 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën e presidentit, ndërsa 63 për qind thonë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar. Këto janë shifrat më të këqija të Trumpit që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Rezultatet përputhen me gjetjet e sondazheve të tjera, të cilat tregojnë se ai e ka humbur mbështetjen e shumicës së amerikanëve. Rënia nuk lidhet vetëm me luftën jopopullore kundër Iranit. Edhe mënyra se si Trumpi po e menaxhon ekonominë po nxit pakënaqësinë e opinionit publik.
Tetëmbëdhjetë muajt e parë të mandatit të dytë të këtij udhëheqësi të paparashikueshëm janë karakterizuar nga tronditje si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij. Unilateralizmi i tij nën parullën “Amerika e para” ka sjellë sulme ushtarake kundër disa vendeve dhe përmbysjen e sistemit tregtar global. Kjo pasqyron përçmimin ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit të shteteve të tjera. Për një president që kishte premtuar se do t’u jepte fund luftërave dhe nuk do të niste të reja, bilanci i tij tregon pikërisht të kundërtën. Trumpi mendoi se fuqia amerikane mund t’i detyronte vendet e tjera të bindeshin, pa asnjë kosto për Shtetet e Bashkuara. Ky ishte një përllogaritje e gabuar. Mbështetja e tij e tepruar te përdorimi i forcës gjithashtu nuk solli rezultatet që ai dëshironte.
Trumpi mund të jetë ekstrem në mënyrën e tij autoritare dhe unilateraliste të veprimit, por në një aspekt të rëndësishëm ekziston një vazhdimësi me sjelljen e mëparshme të Shteteve të Bashkuara. Gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të tyre me vendet e tjera, SHBA-ja e ka nënvlerësuar fuqinë e nacionalizmit dhe rezistencën me të cilën do të përballej gjatë përpjekjeve për t’ua imponuar vullnetin e vet të tjerëve. Këtë e përjetoi gjatë ndërhyrjeve në Vietnam, Afganistan dhe Irak, të cilat e futën Uashingtonin në luftëra të pafitueshme, shkaktuan gabime strategjike dhe i dënuan me dështim aventurat e tij ushtarake. Sot, të njëjtën gjë po e përjeton sërish në luftën kundër Iranit. Trumpi gjithashtu nuk duket se e kupton se bota njëpolare prej kohësh i përket historisë. Në botën e sotme shumëpolare, vendet nuk do t’i nënshtrohen kaq lehtë vullnetit të Uashingtonit. Në të vërtetë, sa më shumë që Trumpi bën deklarata pompoze dhe shkruan në rrjetet sociale se e ka fuqinë për të marrë gjithçka që dëshiron, aq më shumë nxjerr në pah paaftësinë e tij për t’i realizuar synimet.
Nuk mungojnë komentet dhe analizat për personalitetin dhe bilancin e Donald Trumpit. Dy nga librat më të fundit meritojnë të përmenden: “Regime Change”, nga Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, si dhe “Betrayed: America Didn’t Vote for This”, nga Ira Shapiro dhe Anne Kim. Të dy librat trajtojnë vitin e parë dhe muajt pasues të mandatit të dytë presidencial të Trumpit dhe paraqesin kritika të ashpra ndaj punës së tij.
Libri “Betrayed” është shkruar nga një koalicion i gjerë ekspertësh të shquar nga të dyja krahët politikë, përfshirë ish-zyrtarë qeveritarë, juristë, studiues dhe gazetarë. Ata janë anëtarë të organizatës së njohur si “Koalicioni i Arsyes së Shëndoshë”. Autorët dokumentojnë dëmet që Trumpi i ka shkaktuar vendit të tij dhe pozitës së Amerikës në botë. Ky vlerësim i dëmeve bëhet në një sërë fushash: ekonomi, politikë të jashtme, demokraci dhe liri të fjalës, gjyqësor, sistem zgjedhor, arsim dhe klimë.
Teza kryesore e librit është se amerikanët nuk votuan për atë që Trumpi po bën dhe as për çrregullimin që ai po shkakton. Abuzimet e tij me pushtetin duhet të ndalen dhe anëtarët e ekipit të tij duhet të mbajnë përgjegjësi, në mënyrë që kriza e Amerikës të marrë fund.
Me rënien e thellë të mbështetjes për të, sjellja e Trumpit i ka ashpërsuar qëndrimet globale ndaj Shteteve të Bashkuara.
Edhe pse të shkurtër, kapitujt e librit janë të drejtpërdrejtë dhe goditës. Kapitulli për një Amerikë më të dobët është veçanërisht i mprehtë. Në të argumentohet se Trumpi i ka dëmtuar themelet e stabilitetit global. Aventurat e tij ushtarake të kushtueshme dhe të pamenduara, të ndërmarra pa strategji dhe pa respekt për të drejtën ndërkombëtare, si dhe përçmimi i tij ndaj aleatëve tradicionalë, e kanë rrezikuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Autorët përshkruajnë një president të pakontrolluar, i cili po e tërheq vendin në disa konflikte, pa u shqetësuar pothuajse fare për pasojat. Sulmi ndaj Iranit, sipas tyre, i nxjerr qartë në pah tiparet karakteristike të mënyrës së tij të vendimmarrjes në politikën e jashtme: impulsivitetin, parapëlqimin e forcës në vend të diplomacisë, paaftësinë për të marrë vendime racionale bazuar në pasojat e mundshme dhe shpërfilljen e shqetësimeve të aleatëve. Strategjinë e tij të Sigurisë Kombëtare ata e paraqesin si një përmbysje të tetë dekadave të politikës së jashtme amerikane.
Rezultati ka qenë “Amerika më e dobët” dhe “Amerika e vetmuar”, si dhe shterimi i fuqisë së saj të butë. Pozita e saj ndërkombëtare është dobësuar. Trumpi i ka larguar pothuajse të gjithë aleatët që e kishin ndihmuar SHBA-në të ruante paqen globale. Autorët argumentojnë gjithashtu se Trumpi e ka keqpërdorur dhe politizuar ushtrinë, duke e mbushur atë me njerëz të bindur, të cilët kanë frikë t’ia thonë të vërtetën.
Në kapitullin për sundimin e ligjit, autorët e konsiderojnë Trumpin fajtor për shkeljen e kufijve të pushtetit presidencial, kërcënimin e integritetit të gjykatave dhe uzurpimin e kompetencave të Kongresit. Liritë themelore qytetare janë vënë në rrezik. Ai shihet si një president që e ka shndërruar aparatin shtetëror, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, në armë për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe shtypjen e mospajtimit. Ai ka shkelur urdhrat e gjykatave dhe ka denigruar gjyqtarët, ndërkohë që i ka mbrojtur miqtë e tij nga përgjegjësia ligjore.
Libri “Regime Change” nuk është aspak më pak kritik ndaj bilancit të Trumpit në detyrë. Nëntitulli i tij, “Brenda presidencës perandorake të Donald Trumpit”, tregon se fokusi i librit është te funksionimi i brendshëm i Shtëpisë së Bardhë. Është një rrëfim tërheqës dhe i mbështetur në burime të shumta për kaosin e shkaktuar nga një president që ka vepruar pa u ndëshkuar dhe që e ka ndryshuar rrënjësisht institucionin që drejton.
Libri tregon se si janë bërë përpjekje për ta ndalur Trumpin, por ato kanë dështuar. I bazuar në më shumë se 1.000 intervista, ai i çon lexuesit prapa skenave dhe ofron njohuri mbi mënyrën e vendimmarrjes së Trumpit, vendime që kanë pasur pasoja të mëdha dhe, natyrisht, të dëmshme për vendin.
Mënyra se si ekipi i tij u rreshtua pas vendimeve të tij, edhe kur anëtarët e tij nuk pajtoheshin fuqishëm me to, ilustrohet nga një shkëmbim domethënës mes Trumpit dhe Benjamin Netanyahut gjatë vizitës së këtij të fundit në Uashington në shkurt, kur ai e bindi Trumpin ta sulmonte Iranin.
Udhëheqësi izraelit e siguroi Trumpin se ndryshimi i regjimit në Iran do të kishte sukses dhe se kapacitetet bërthamore të vendit do të shkatërroheshin përpara se Teherani të mund të merrte kontrollin e Ngushticës së Hormuzit. Drejtori i CIA-s e hodhi poshtë këtë vlerësim, ndërsa sekretari i Shtetit e quajti atë “farsë”. Megjithatë, Trumpi e imponoi qëndrimin e tij.
Sjellja e Trumpit i ka ashpërsuar qëndrimet globale ndaj Shteteve të Bashkuara. Miqtë, aleatët dhe kundërshtarët i shohin me shqetësim luhatjet e paparashikueshme të politikës amerikane. Sondazhi më i fundit i Qendrës Kërkimore Pew e pasqyron këtë ndryshim. Në shumicën e vendeve të përfshira në sondazh, Kina shihet më pozitivisht se Shtetet e Bashkuara. Duke pasur parasysh trazirat e 18 muajve të fundit, ky rezultat vështirë se mund të quhet i papritur.
Autorja është ish-ambasadore në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kombet e Bashkuara.
Botuar në gazetën “Dawn”, më 3 gusht 2026.















