Nëntë vjet e kërkuan shkencëtarët, derisa më në fund u gjendën përballë një druri të jashtëzakonshëm nga familja e selvive në një rajon të largët të Tajvanit.
Në malet e Tajvanit, studiuesit kanë dokumentuar, sipas tyre, pemën më të lartë të njohur në Azinë Lindore. “Shpata Qiellore e Lumit Da’an”, siç e quajnë ata, është 84,1 metra e lartë dhe i përket llojit Taiwania cryptomerioides, një dru nga familja e selvive. Këtë e raporton ekipi i udhëhequr nga Rebecca Chia-Chun Hsu nga Instituti Tajvanez i Kërkimeve Pyjore në revistën shkencore “Frontiers in Forests and Global Change”.
Pema u gjet dhe u mat në vitin 2023 pas një kërkimi që zgjati nëntë vjet në një terren të vështirë për t’u arritur. Për shkak të topografisë së veçantë dhe pyjeve të vjetra e të gjera në terren të pjerrët, Tajvani është një nga vendet e pakta në botë ku pemët rriten mbi 80 metra të larta, shkruajnë studiuesit. Populli indigjen Rukai i quan poetikisht pemët gjigante Taiwania “pemë që takojnë Hënën”.

Rrugë e vështirë
Për kërkimin e tyre, studiuesit përdorën gjithashtu skanime me metodën Lidar. “Lidar” do të thotë “Light Detection and Ranging” (Zbulimi dhe matja e distancës me dritë): nga avionët u dërguan impulse lazeri për të krijuar modele tredimensionale të lartësisë së peizazhit. Qindra vullnetarë ndihmuan në përpunimin e të dhënave. Në fund u krijua një hartë me 941 pemë me lartësi mbi 65 metra.
Ekspedita drejt pemës rekord kaloi nëpër një rrugë 20 kilometra përgjatë lumit dhe ngjitje të pjerrëta. Alpinistët më në fund e matën pemën me një shirit nga kurora deri në tokë. Deri në fillim të vitit 2026, ekipi kishte zbuluar dhe ishte ngjitur në dhjetë pemë Taiwania me lartësi mbi 70 metra, dy prej të cilave janë mbi 80 metra të larta.
Pema më e lartë në botë konsiderohet sekuoja bregdetare “Hyperion” në Parkun Kombëtar Redwood të Kalifornisë veriore, me një lartësi mbi 115 metra. Pema më e lartë e Gjermanisë është bredhi Douglas “Waldtraut vom Mühlwald” në Freiburg, me mbi 67 metra./TetovaNews
















