Botërori i Katarit vijon të jetë i mbushur me befasi. Gjermania humbi 1-2 me Japoninë në ndeshjen e parë të grupit E. Skuadra e Flick kaloi e para në avantazh me Gundogan në minutën e 33 të ndeshjes nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë aziatikët kthyen gjithçka në avantazhin e tyre me Doan në minutën e 75 dhe Asano në minutën e 83.
Gjermania lë kështu pikë rrugës, me objektivin që është kalimi i grupit. Edhe pse evropianët nisën mirë gjithçka, skuadra e “samurajve” fitoi me përmbysje. Ndeshja nisi mirë për gjermanët, që humbën disa raste shënimi para se Gundogan me 11 metërsh të kalonte ekipin e tij në avantazh. Me pjesën e parë që u mbyll në epërsinë e Gjermanisë, skuadra e Flick lëshoi në 45 minutat e dyta.
Neuer mbajti disa herë të paprekur rrjetën e tij, para se Doan në minutën e 75 të ndeshjes të barazonte gjithçka. Në të 83 minutë Gjermania pësoi edhe golin e dytë nga Asano. Kontroll dhe gjuajtje e bukur nga japonezi, që i dërgoi të tijtë me tre pikë në krye të grupit E. Gjermania me zero pikë qëndron në fundin e renditjes, teksa Spanja dhe Kosta Rika përplasen sot në 17:00 për herë të parë në Botëror. Kujtojmë se gjermanët e nisën ndeshjen me protestë kundër FIFA-s dhe Katarit për të drejtat e njeriut, me lojtarët që pozuan me gojën mbyllur.