Ballina Aktualitet “Grupi i zjarrit” i “çjerr maskën” BDI-së: Ka realizuar vetëm 1,2 përqind...

“Grupi i zjarrit” i “çjerr maskën” BDI-së: Ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve (VIDEO)

Anëtarë të BDI-së, të cilët janë pjesë të të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”, sot sërish dhanë vërejtjet e tyre lidhur me, sipas tyre, përmbushjen joefikase të programit zgjedhor partiak 2020-24 dhe kërkuan që udhëheqësia e partisë “t’u bëjë thirrje për përgjegjësi ministrave të radhëve të tyre në Qeveri si edhe kuadrove nga eshalonet më të ulëta të pushtetit”. Edhe pse vlerësojnë se e gjithë përbërja qeveritare nuk është efikase dhe duhet të zëvendësohet me kuadër të freskët, ata megjithatë e mbështesin orientimin e Qeverisë dhe nuk e kontestojnë lidershipin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Në konferencën për shtyp në prani të anëtarëve partiak dhe një pjese të Kryesisë qendrore të BDI-së, në mesin e së cilëve Nevzat Bejta, Blerim Bexheti, Visar Ganiu, Bashkim Hasani, Ejup Ademi, Qamil Kovaçi, Adnan Ejup, si edhe këshilltarët në Qytetin e Shkupit, fjalim pati nënkryetari i partisë dhe deputeti i Parlamentit, Izet Mexhiti.

“Me kërkesë tonën para tre muajve filloi funksionimi institucional i organeve partiake, ndërsa në Kryesi u realizua diskutim për llogaridhënie dhe përgjegjësi politike para organeve. Për fat të keq edhe krahas insistimit tonë edhe pas dy mbledhjeve të mbajtura, puna e Kryesisë u ndërpre. Vërejtjet tona për premtimet e parealizuara zgjedhore për vitin 2020-2024 nuk janë shqyrtuar. Prandaj vendosëm t’i drejtohemi anëtarësisë, votuesve dhe opinionit për gjendjen që është krijuar në BDI”, potencoi Mexhiti.

Sipas tij, marrja e vendimeve në BDI është bërë “privilegj ekskluziv e një klani të afërt” të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi.

“Ne e ngrisim zërin kundër veprimeve të Grubit, të cilat janë në kundërshtim me qëndrimet e shumicës së anëtarëve të BDI-së. Kjo ka çuar drejt uljes së mbështetjes së BDI-së dhe ndarjes së brendshme partiake”, tha Mexhiti, duke shtuar se qëllimi ka qenë ta mobilizojnë anëtarësinë e BDI-së.

https://youtu.be/M25O3yEOttY

Në kontekst të vërejtjeve të tyre, ai potencoi se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Në vazhdën e vërejtjeve të tyre i potencoi edhe rezultatet e anketës së fundit të IRI-t sipas së cilës, siç pohon, zëvendëskryeministri Grubi dhe shefi i diplomacisë, Bujar Osmani “i kanë rezultatet më të dobëta” dhe “për herë të parë rejtingu i opozitës shqiptare e tejkalon atë të BDI-së”.

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Pas kësaj, u mbajt mbledhje e Kryesisë së re të Këshillit të Përgjithshëm në selinë e partisë në Reçicë të Vogël, ku u zgjodhën disa organe të reja partiake.