Kryeministri Albin Kurti është takuar me Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku është diskutuar situata në veri të vendit, ku u tha se dhuna atje është e koordinuar mes qeverisë së Serbisë dhe grupeve kriminale.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit dhe incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë, e të cilat me të gjitha mjetet në dispozicion po veprojnë kundër Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“U tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propaganda”.
Në komunikatën e kryeministrisë thuhet se ka komunikim të vazhdueshëm midis tyre dhe KFOR-it gjatë këtyre 17 ditëve, dhe se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për veprim.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-i”.
“U theksua se brenda këtyre 17 ditëve që nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in”.
“Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-I”.
Në fund qeveria ka thënë se ata nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, dhe se liria e lëvizjes dueht të rivendoset.
“U tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.