Ballina Aktualitet “Referendum brenda partisë për ofertën”, Taravari deklarohet si kryetar për mundësinë për...

“Referendum brenda partisë për ofertën”, Taravari deklarohet si kryetar për mundësinë për të hyrë në Qeveri (VIDEO)

Kryetari i sapozgjedhur i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në paraqitjen e tij pas Kongresit të partisë tha se për momentin nuk kanë marrë asnjë ofertë konkrete për hyrje në Qeveri, përcjell TV21. Taravari tha se në vijim duhet të zgjidhen edhe organet e partisë, pas çka nëse ka ndonjë ofertë, do të kërkojë organizimin e referendumit brendapartiak për këtë çështje.

“Ju them me sinqeritetin më të madh për momentin nuk kemi ndonjë ofertë konkrete, në qoftë se kemi, këtë duhet ta diskutojmë në organet partiake, nuk dua të sillem si njeri që vendos vetë, prandaj kemi insistuar dhe vazhdoj të insistoj që të zgjedhim sa më shpejtë edhe kryesinë e partisë, me të vetmin qëllim që ta disperzojmë edhe përgjegjësinë, thash se edhe nëse sjellim vendim të tillë do të kërkoj organizim të referendumi brendapartiak me ofertën që do ta marrim, në qoftë s e marrim”, tha mes tjerash Taravari.

I pyetur për takimin me kryeministrin, Taravari tha se në atë takim është biseduar shumë pak për mundësinë e futjes së ASH-së në Qeveri.

“S’ka ndonjë ofertë prej kryeministrit, përveç se kemi pasur një takim me kryeministrin, s’ka pasur oferta ose s’kemi biseduar konkretisht, më shumë kemi biseduar për paketën e anti-korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës se sa që kemi biseduar për hyrjen në qeveri”, tha Taravari duke shtuar se janë zotuar se deputetët e ASh-së do të përkrahin ligjet për vazhdimin e rrugëtimit të vendit drejt BE-së./tv21.tv