Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë.
“Përkeqësimi i ri që shpërtheu në krahinë tregon bindshëm se largimi nga korniza aktuale rregullative për Kosovën vetëm sa provokon ekstremistët e Prishtinës. Situata nuk është larg nga një konflikt real në shkallë të gjerë”, tha Zakharova në përgjigje të një pyetjeje mediatike për Kosovën.
Kujtojmë që mbrëmë ka pasur lajme se janë dëgjuar të shtëna në veri të Kosovës, ndërsa sot ushtria serbe ka vendosur disa topa në afërsi të vendkalimit Jarinje, pranë kufirit me Kosovën.
Më herët mbrëmë, mediat kosovare në gjuhën serbe dhe shqipe raportuan ndryshe për të shtënat me armë zjarri në afërsi të Zubin Potokut në veri të Kosovës. Portali Kosova online bëri të ditur se të shtënat kanë ndodhur kur “forcat speciale të Policisë së Kosovës kanë tentuar të heqin barrikadat” në njërën nga rrugët lokale në komunën e Zubin Potokut.
Koha e Prishtinës, nga ana tjetër, pretendon se serbët vendas kanë sulmuar pjesëtarët e forcave ndërkombëtare (KFOR), dhe KFOR-i më vonë ka konfirmuar për atë portal të shtënat “afër patrullës së saj”, por jo sulmin.
Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e mediave në Beograd “për ndonjë konflikt me policinë në Zubin Potok”.