Gjashtë personave, mes tyre edhe pronarit të lokalit, Dibran Hoxhajt, i është komunikuar arrestimi për vràsjen e të riut kuksian dhe plagosjen e shokut të tij. Ndërkohë policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar prova të reja në lokalin “Kobra City” në Prizren ku ndodhi krimi. Organet e drejtësisë në Kosovë njoftojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm ndërsa është kërkuar që të sigurohen prova të reja pas ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të të riut nga Kukësi.
Detaje të reja ka dhënë policia e Kosovës në lidhje me vrasjen e të riut kuksian Visart Cengut dhe plagosjen e 27-vjeçarit Rufgen Shehu. Ngjarja e rëndë u regjistruar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në lokalin e quajtur “Kobra City” në pronësi të Dibran Hoxhajt. Sipas uniformave blu të Prizrenit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe pronari i lokalit Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”.
Ndër të tjera në njoftimin e policisë thuhet se shkëmbimi i zjarrit ka nisur në lokal, ndërsa i dyshuari Hoxhaj i ka ndjekur klientët e tij edhe jashtë ambienteve duke qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri ku plumbat kanë kapur dy të rinjtë nga Kukësi dhe si pasojë e plagëve të marrë mbeti i vrarë 31-vjeçari Cengu, ndërsa i plagosuri Shehu ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Kosovës thotë se gjashtë të dyshuarit mes tyre edhe Dibran Hoxhaj janë dërguar në paraburgim dhe pritet që të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e arrestit. Grupi hetimor është rikthyer sërish në lokalin ku ka ndodhur ngjarja ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të reja kriminale të cilat rëndojnë edhe më tej pozitën e të përfshirëve në këtë krim. Në njoftimin e organit të akuzës thuhet se me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja plumbash.
Gjithashtu bëhet me dije se njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturës së viktimës ku mund të dalin edhe prova të reja nëse ndaj tyre janë shkrehur plumba nga disa armë.
Dyshohet se shkak për konfliktin mes të rinjve kuksian dhe pronarit të lokalit “Kobra City” ka qenë një faturë me vlerë 400 euro e cila është refuzuar nga ana e Visart Cengut, Rufgen Shehut dhe shokut të tyre Arben Basha i cili i shpëtoi plumbave të të dyshuarit Dibran Hoxhaj, transmetoi tv syri.