Ballina Aktualitet Mexhiti reagon për videon e Ahmetit: Keqpërdorim i paturpshëm! Grubi nuk përgjigjet

Mexhiti reagon për videon e Ahmetit: Keqpërdorim i paturpshëm! Grubi nuk përgjigjet

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, reagoi ndaj bashkëpartiakut të tij Artan Grubi, për publikimin e videos në të cilën shfaqet Ali Ahmeti duke kënduar. Mexhiti thotë se ky është keqpërdorim i figurës së Ahmetit për të defokusuar opinionin prej problemit të vërtetë.

“Të incizosh Ali Ahmetin duke kënduar dhe pastaj ta publikosh të njëjtin incizim, për të defokusuar opinionin prej problemit të vërtetë, është keqpërdorim i paturpshëm i figurës së tij…Të incizosh Ali Ahmetin dhe të ruash këto video për t’i shfrytëzuar kur të konvenon ty është jokorrekte dhe duket se nuk është hera e parë që po ndodh. BDI patjetër duhet të çlirohet nga uzurpatorët, mercenarët dhe të paaftit!”- shkruan Izet Mexhiti – nënkryetar i BDI-së.

Kërkuam përgjigje nga Grubi për këto akuza, por përgjigje nuk morëm.
Të pakënaqurit e BDI-së, të njohur tashmë si “grupi i zjarrit”, tashmë një kohë të gjatë po e kritikojnë punën e ministrave integristë.
Në lidhje me këtë sot foli ministri i jashtëm Bujar Osmani. Ai thotë se nuk munden të humbin kohë për të komentuar secilin vlerësim joformal, sepse siç thotë, pastaj nuk do të kenë kohë për punë.

“Nëse fillojmë të komentojmë çdo lloj të komentimeve joformale rreth punës sonë, nuk do të kemi kohë për të punuar.
Vlerësimin e punës së ministrave, posaçërisht MPJ-së e bëjnë institucionet objektive siç është Komisioni Evropian. Mendoj se KE është vlerësuesi më objektiv, i i punës se institucioneve të caktuara, e posaçërisht në kushte kur kanë nisur negociatat, sepse kush do që bën vlerësime ka dozë të subjektivizmit në atë vlerësim. E vetmja KE bën vlerësim në përputhje me parametrat objektive. Unë krenohem me punën e MPJ-së për vitin 2022. “- tha Bujar Osmani – Ministër i Jashtëm.

Ndryshe “grupi i zjarrit”, të shtunën nisi daljen në terren, për t’u folur simpatizantëve për pakënaqësitë e tyre dhe punën e qeverisë këto 2 vite. E nisën në Studeniçan dhe kanë paralajmëruar edhe takime tjera me banorët.