Ballina Kronika U dhunua dhe u grabit, flet e moshuara në Korçë: Autori nxorri...

U dhunua dhe u grabit, flet e moshuara në Korçë: Autori nxorri thikën më kërcënoi, mori 10 mijë Euro

Prej 7 ditësh një 64-vjeçare në Korçë qëndron e shtruar në spital pasi u dhunua gjatë një grabitje në banesën e saj. Ngjarja ka ndodhur më 29 Dhjetor 2022 në fshatin Pirg.

64-vjeçarja ka pësuar fraktura për shkak të goditjeve nga autorët, të cilët i morën një shumë parash.

Nga shtrati i spitalit, ajo tregon se si autorët, të paidentifikuar, e kërcënuan për jetën për t’i marrë pasurinë.

“Deri në orën 10 pa 20 isha zgjuar, rashë të flija dhe ikën dritat. U hap porta, unë isha shtrirë, erdhi një trup i gjatë dhe m’u hodh sipër. Lekët më tha se të vrava. I thoja se nuk kam Lekë, vetëm pensionin. Lekët më tha përsëri se të vrava. Me lidhi duart dhe gojën me një leckë dhe litar dhe më godiste. Me mori zvarrë nga dhoma tjetër e më kërkonte përsëri Lekë. Nxorri thikën. Më godiste me shkelma”.

64-vjeçarja tregon se autorët i morën 10 mijë Euro, të cilat i kishte kursime nga shitja e tokave. Këto para i mbante të fshehura në shtëpi.

“Lekët i kisha kursime sepse kisha shitur tokat. Mendoja të kisha lekët për t’u pleqëruar. 10 mijë Euro m’i mori. Në divan i kisha fshehur, aty ku flija. I gjeti vet. Policia erdhi pasi u përmenda. Kam dhimbje të mëdha. Shkova te komshinjtë, kërkova ndihmë. Isha e goditur dhe me enjtje. Lajmëroi policinë komshia, në pyetën dhe u tregova. Më mori policia më solli pa ndjenja në spital. Nuk kam dyshime kush mund të jetë, nuk e di”, shprehet gruaja e dhunuar.

Një javë pas grabitjes, Policia e Korçës nuk ka mundur ende të identifikojë autorin/ët e grabitjes. /tvklan.al