Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të enjten se nuk pret që tensionet me Kosovën të përshkallëzohen në luftë.
“Nuk pres luftë dhe shpresoj se do të arrijmë t’i kapërcejmë të gjitha vështirësitë”, tha Vuçiç në Davos të Zvicrës.
Ai tha se në Davos janë ndarë shumë pikëpamje për situatën në Kosovë, por askush nuk i është përgjigjur një pyetjeje.
“Pse Karta dhe rezolutat e OKB-së janë të rëndësishme dhe duhet të respektohen kur flasim për vendet e tjera, por kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë, nuk funksionon? Në çdo rast, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën dhe të investojmë kohë dhe përpjekje për të siguruar stabilitet dhe paqe”, shtoi Vuçiç.
Vuçiç gjatë bisedës iu referua edhe marrëdhënieve mes Beogradit dhe Ankarasë, duke theksuar se Serbia e konsideron presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan “mik të vërtetë përkundër qëndrimit të ndryshëm për pavarësinë e Kosovës”.
Ai theksoi se Serbia ka marrëdhënie “shumë të mira” me Turqinë, duke shtuar se të dy vendet “do të vazhdojnë të punojnë së bashku në të gjitha fushat për t’i bërë ato edhe më të mira”.
Ai theksoi se Beogradi dëshiron të përmirësojë bashkëpunimin me Ankaranë në “nivel ushtarako-teknik”, por se ka disa pengesa në këtë drejtim, veçanërisht në lidhje me Kosovën.
“Pasi ta kapërcejmë këtë, jam i sigurt se kemi shumë për të bërë së bashku në këtë fushë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime për të parë se si mund t’i kapërcejmë këto vështirësi dhe cili mund të jetë kontributi i tij (Erdoganit)”, tha Vuçiç, duke shtuar se ai e sheh të papranueshme që Turqia t’i shesë njëkohësisht dronë Bayraktar edhe Serbisë dhe Kosovës.
Ai theksoi se vendi i tij, përveç dronëve Bayraktar, është i interesuar edhe për blerjen e pajisjeve të tjera ushtarake nga Turqia.