TikTok është një rrjet social i viteve të fundit, i fokusuar fillimisht tek moshat e reja, por që më pas u shtri në mënyre të shpejtë kudo.
Aplikacioni me video të shkurtra, nisi me koreografitë për adoleshentë, por tashmë përdoret nga politikanë dhe analistë seriozë, madje edhe nga vetë ushtarët në frontin e luftës në Ukrainë.
Duke përfituar nga një algoritëm që i përshtatet menjëherë shijeve të përdoruesve dhe një censurë më të kufizuar se në rrjetet e tjera sociale, TikTok është shndërruar në një fenomen ndërkombëtar me më shumë se 1 miliard përdorues aktivë çdo muaj.
Por mbetet gjithsesi një sipërmarrje kineze, dhe kjo ka gjeneruar dyshime të shumta, veçanërisht në një epokë konfliktuale si kjo.
Dyshimet janë që të dhënat e përdoruesve shkojnë në Pekin dhe analizohen nga shërbimet e tyre sekrete, më së shumti për arsye komerciale, por jo vetëm.
Dy ditë më parë, Komisioni Europian e ka ndaluar përdorimin e TikTok nga telefonat e administratës të këtij institucioni, duke ngritur dyshimin se pas rrjetit social mund të fshihet një sistem përgjimi.
Nuk përjashtohet rreziku në fushën e sulmeve kibernetike, ndaj punonjësit e KE duhet ta çinstalojnë programin brenda 15 marsit.