Në qytetin e Tetovës janë rreth 1500 ndërtime pa leje si dhe mbindërtime nëpër pallatet kolektive, gjë që paraqet rrezik potencial në rast të tërmeteve apo zjarreve. Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se pas analizës së bërë për këto lëndë, ka kërkuar nga Ministria e Transportit që të bëhen kontrolle ndaj tyre, nëse të njëjtat janë të ndërtuara brenda standardeve të ndërtimit dhe nëse janë të sigurta për të jetuar, me qëllim parandalimin e ndonjë katastrofe të mundshme.
Nga komuna e Tetovës, është kërkuar po ashtu nga ana e ministrisë së Transportit, që të bëhen kontrolle edhe mbi institucionet e Tetovës, siç janë shkollat dhe të tjera, e që janë ndërtuar para vitit 1950, nëse qëndrueshmëria e tyre është e mirë apo jo, me qëllim që të merren masa në kohë.
“Do drejtojmë edhe një kërkesë tek Ministria e transportit që të bëj kontrollin e pallateve të ndërtuara para viteve 60-ta, pra të bëjnë matjet sizmike se sa këto pallate janë të sigurta e këtu me theks të veçantë objektet publike, shkollat, çerdhet e tjera, që janë ndërtuar para viteve të 60-ta. Ne do të insistojmë që edhe ata objekte që kanë mbindërtime të kenë elaboratet përkatëse sa i përket qëndrueshmërisë së tyre ndaj tërmeteve”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Sipas drejtuesit të Qendrës për mbrojtje dhe shpëtim, faji kryesor me ndërtimet në qytetin e Tetovës janë pikërisht mbikëqyrësit e ndërtimeve. Në letër nga ana e inxhinierëve parashihen të gjitha elementet e sigurisë, dhe në bazë të dokumenteve nga ana jonë jepet leja, por mbikëqyrësit zakonisht japin firmat për realizim të plotë, edhe pse shumica e tyre nuk kanë realizuar atë që e kanë shkruar në letër.
“Ligji për ndërtim parasheh që realizuesi të bëj raportin e objektit nëse i përfshin apo jo masat mbrojtëse të parapara në letër. Por këtu kemi probleme shumë, sepse firmat janë private dhe i nënshkruajnë pa i paraparë gjërat që janë në dokumentacion apo jo”, u shpreh Arif Arifi, Qendra për mbrojtje dhe shpëtim.
Profesori universitar i ndërtimtarisë, Shinasi Zejneli i fakultetit të ndërtimtarisë, paralajmëron se ndërtuesit, duhet të varin vesh tek cilësia e betonit dhe çelikut që përdoren gjatë ndërtimit, edhe përkundër faktit se prodhuesit e betonit në Tetovë, viteve të fundit ofrojnë beton cilësor.
“Betoni në rradhë të parë duhet të jetë cilësor, agregati duhet të jetë i pastër dhe sasia e çimentos duhet të jetë në nivel sa duhet. Që të mund një konstruksion tu bëj ballë goditjeve dhe të kursehet jeta e njerëzve si element tjetër është edhe çeliku që përdoret për ndërtim. Këtu nuk përfundon emisioni sërish, sepse pas tre apo pesë vitesh sërish duhet patjetër të bëhet një kontroll gjeneralë e objektit, sidomos atyre kolektive dhe çerdheve të fëmijëve, të pleqve, objekte fetare, spitale e tjera, që të shihet nëse paraqiten apo jo plasaritje”, theksoi prof. Shinasi Zejneli, Fakulteti i ndërtimtarisë UT.
Ndryshe, Tetova i takon zonës sizmike të tetë dhe të nëntë ku kohë pas kohe ka tërmete më të theksuara. Por edhe tërmetet e shpeshta prej një ballësh ndikojnë erozionin e tokës dhe qëndrueshmërinë e saj/alsat