Ballina Aktualitet Kurti takim me Scholzin, në fokus dialogu dhe plani franko-gjerman

Kurti takim me Scholzin, në fokus dialogu dhe plani franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gër​valla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Në takim u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres, të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz.

“Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit”, ka thënë kryeministri Kurti gjatë takimit me Scholz, njofton Kryeministria.

Kurti e njoftoi kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin për Procesin e Berlinit.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, lryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftim.

@tn.lajmelokale
@tetovanews