Tetova sot u vizitua nga disa prej kryetarëve të komunave nga Kosova, dhe jo vetëm, në vizitë ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë. Krerët diskutuan për projekte të përbashkëta, ndërsa ajo çfarë u theksua nga takimi në komunë ishte bashkëpunimi rajonal mes komunave në fushën e turizmit, ku u tha se nxënësit e Tetovës do të vizitojnë rregullisht vendet turistike të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe anasjelltas, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se nga ky takim do të del edhe iniciativë konkrete për plan në këtë drejtim.
“Nxënësit tanë, fëmijët tanë ashtu siç ka qenë dhe në të kaluarën do duhet më mirë t’i njohin qytetet, rajonin dhe vendet e rajonit sepse vetëm kështu mund të shkojmë të bashkuar në Evropë”, tha Kasami.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi theksoi se duan që të integrohemi të gjithë bashkë në këtë rajon edhe në një sferë shumë të rëndësishme siç është turizmi.
“Pushteti lokal ka një rol të rëndësishëm për t’i detajuar më tej vendimet që do të marrin Qeveritë tona respektive”, tha Minxhozi.
Përndryshe, në rajon ekziston edhe Unioni i Bashkive Shqipare në Rajon (UBSHR) e cila është e regjistruar që nga viti 2019. Misioni i saj është të unifikojë veprimin e njësive vendore anëtare të shoqatës dhe t’i prezantojë ato në nivel rajonal, vendor, qendror dhe ndërkombëtar duke mbrojtur interesat e tyre, ofruar shërbimet ndaj anëtarësisë, komunikuar vazhdimisht me anëtarësinë, si dhe ndërtuar partneritete dhe bashkëpunime.