Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës i ka kaluar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, thekson se Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori vendimin në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.
Mediat raportuan 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se mbetet edhe shumë punë për të bërë.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi një ditë të mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë Evropën.
“Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”.
Kryeministri Albin Kurti, komentoi këtë votim po ashtu duke thënë se Kosova “do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”.
Vendimi që afron Kosovën edhe një hap me afër anëtarësimit Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u përshëndet nga Tirana zyrtare dhe përfaqësues të politikës shqiptare
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cilësoi një një arritje për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, pasi Kuvendi i Shqipërisë sipas saj është përfshirë në një veprimtari intensive lobuese për tia arritur këtij qëllimi.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022, ndërsa kalimi i kërkesës për votim në Asamblesë Parlamentare konsiderohet fitore për shtetin e ri përballë përpjekjes së Serbisë për ta ndaluar.