Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ka takuar sot Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, thonë nga konferenca për shtyp e Qeverisë së RMV-së, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Në takim, thuhet në deklaratë, u nda një vlerësim i përbashkët se marrëdhëniet dypalëshe janë miqësore dhe konstruktive, me dialog të rregullt dhe të hapur dhe pa çështje të hapura mes dy vendeve.
Bashkëbiseduesit u dakorduan për hapat e mëtejshëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimit të miqësisë mes qytetarëve të dy vendeve.
“Kryeministri Kovaçevski e uroi Kosovën për liberalizimin e miratuar të vizave dhe tregoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbështesë aktivisht aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e vendit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit, u shpreh gatishmëria për organizimin e një seance të dytë të përbashkët të qeverive të dy vendeve, ku pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja dypalëshe në disa fusha.
Kovaçevski theksoi se Kosova është një partner i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në të dy drejtimet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së RMV-së.
Duke iu referuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shtojnë nga atje, kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe inkurajon të dyja palët për dialog të mëtejshëm produktiv në drejtim të rritjes së besimit.