Ballina Aktualitet Talat Xhaferi takon presidentet e Kosovës, Vjosa Osmani: Të gatshëm të mbështesim...

Talat Xhaferi takon presidentet e Kosovës, Vjosa Osmani: Të gatshëm të mbështesim Kosovën në rrugën drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e cila qëndron në vizitë zyrtare dyditëshe në vend. Në takim ishin të pranishëm nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës, Afrim Gashi.
Kryetari Talat Xhaferi, drejtoi urime për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, me të cilin qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE -së dhe vlerësoi se vendimi është me domethënie thelbësore për integrimin e Kosovës në BE. Ai shprehu kënaqësi për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës në të gjitha fushat dhe intensitetin e madh të takimeve të ndërsjella në nivelin e lartë politik. Marrëdhëniet miqësore janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm dhe të shpeshtë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës ndërmjet kryetarëve të dy dhomave ligjvënëse, komisioneve dhe grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut theksoi se në parim i mbështesim aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe jemi të gatshëm ti ndajmë njohuritë dhe përvojat e përfituara në atë plan. Duke theksuar se të dyja vendet janë pjesëmarrëse aktive në procesin e Berlinit, ai informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ratifikoi të tre marrëveshjet për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet vendeve të rajonit.
Kryetari Xhaferi e përshëndeti marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të Be-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe theksoi se si kryesues me OSBE-në jemi të gatshëm të ndihmojmë implementimin e pjesëve të caktuara të marrëveshjes. Informoi se vendi, prej më 1 korrik këtë vit do e ndërmarrë kryesimin me Procesin e Bashkëpunimit në Evropë Juglindore, ku në bazë të njëjtë marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Kadriu, nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet shembull dhe model për vendet tjera në rajon, sidomos në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ajo shprehu kënaqësi që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura dhe realizohet bashkëpunim i frytshëm në fusha të shumta. Njëherazi, u zotua për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, politikës së jashtme dhe mbrojtjes.
Presidentja Osmani Sadriu falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga vendi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe theksoi se mbështetja e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jetë me rëndësi të madhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kërkoi prej Kryetarit Xhaferi mbështetje edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Platformën e Krimesë.
Kryetarja e Kosovës drejtoi mirënjohje për mikpritjen e shfaqur në Ohër, për takimin për Aneksin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nënvizoi se Serbia e ka shkelur këtë marrëveshje duke e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Xhaferi dhe OSMANI Sadriu folën edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, si edhe për nevojën për rrumbullakimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe përmirësimin e kapaciteteve të kalimeve kufitare, me vendosjen e konceptit të kontrolleve të përbashkëta, me çka, në masë plotësuese do të lehtësohet komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe biznes bashkësisë të dy shteteve.
Bashkëbiseduesit këmbyen informata për ngjarjet aktuale në të dyja vendet dhe u zotuan për realizim më të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në seancën e përbashkët të Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Në fund të takimit u shpreh shpresë se vizita zyrtare e Presidentes Osmani Sadriu do të kontribuojë në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews