Ruben Saraiva, 28 vjeç kishte mbi 2 muaj që jetonte në fshatin Kakarriq në Shkodër.
Atje mësohet se jetonte te shtëpia e Edmond Haxhisë. Fillimisht në media u raportua se Saraiva kishte marrë një shtëpi me qira në Kakarriq, por pas interesimit të gazetarëve është mësuar se në këtë zonë nuk ka banesa me qira. Ai jetoi te shtëpia e Haxhisë, ku lëvizjte edhe herë pas here në Shkodër.
Mediat raportojnë se pasi kishte kaluar pak kohë, kishte nisur të mësonte në gjuhën shqipe dhe përshëndeste në shqip.
Lëvizte me makinë dhe motor, pikërisht me motorin që përdori për të kryer krimin.
Ai motor është përdorur herë pas here nga 27-vjeçari për të kryer lëvizjet e tij. Ai kishte krijuar edhe një fabulë, ku iu tregonte banorëve se ishte i dashuruar me një vajzë shqiptare por familja e saj nuk pranonte pasi ai ishte racë e përzier.
Portugezi është një nga 6 personat, pjesëtarë të grupit të të huajve që organizoi dhe vuri në jetë planin për ekzekutimin e biznesmenit 51-vjeçar, Ardian Nikulaj, ngjarje që ndodhi më 18 prill 2023 në Shëngjin, brenda restorant Coral.
Vrasja e Nikulajt u zbardh dy ditë më parë.
Policia e Shtetit doli me një deklaratë zyrtare ku njoftoi se gjithçka ishte planifikuar nga vëllezërit Lestakaj, me të cilët Nikulaj ishte në hasmëri që prej vitit 1997. Dyshohet se Lestakajt kishin paguar një skuadër të huajsh për të ardhur për të kryer vrasjen.
Sipas të dhënave të PSH-së, në rolin e ekzekutorit ishte portugezi Ruben Saraiva, ndërsa katër britanikë ishin vëzhgues. Ata janë identifikuar si: Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman. I gjithë ekipi menaxhohej nga Edmond Haxhia, djali i dajës i vëllezërve Lestakaj. Por, deri më tani asnjë prej të përfshirëve nuk janë arrestuar. Të gjithë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk dihet destinacioni i tyre. Nga ana tjetër, vetë vëllezërit Lestakaj ndodhen në Britaninë e Madhe.