Ballina Bota Zbulohet misteri i një prej tragjedive detare para 80 vitesh, gjendet anija...

Zbulohet misteri i një prej tragjedive detare para 80 vitesh, gjendet anija e mbytur

Pas tetë dekadash mister vjen zbulimi: një anije japoneze që ishte torpedouar gjatë Luftës së Dytë Botërore me 1000 njerëz në bord, kryesisht të burgosur australianë, gjerndet në brigjet e Filipineve.

“Montevideo Maru” u pa më 18 prill në një thellësi prej më shumë se 4000 metrash në Detin e Kinës Jugore, 110 kilometra larg ishullit filipinas Luzon, njoftoi Fondacioni Silentworld, një institut i kërkimit arkeologjik detar.

Zbulimi u bë pas 12 ditësh kërkime me ndihmën e një droni nënujor të pajisur me sonar. Kjo anijembytje konsiderohet si një nga tragjeditë më të mëdha detare në historinë australiane.

“Montevideo Maru”, një anije mallrash e përzier, u fundos më 1 korrik 1942 nga nëndetësja amerikane “USS Sturgeon”, ekuipazhi i së cilës nuk e dinte që anija po transportonte robër lufte aleate në ishullin kinez të pushtuar nga japonezët, Hainan, SHBA.

Sipas Fondacionit Silentworld, rreth 1,060 njerëz nga 14 vende u vranë, duke përfshirë 979 australianë të kapur në Betejën e Rabaul, Papua Guinea e Re.

U deshën më shumë se pesë vjet për të planifikuar operacionin për të gjetur vendndodhjen e anijes, tha Fondacioni Silentworld. Hetimet kishin nisur më 6 prill.

“Vendi i prehjes së shpirtrave të humbur të ‘Montevideo Maru’ është gjetur më në fund,” tha kryeministri australian Anthony Albanese në një deklaratë.

“Shpresojmë që lajmet e sotme të sjellin pak lehtësim për të afërmit e tyre që kanë pritur kaq gjatë”, shtoi ai.

Fondacioni Silentworld sqaroi se rrënojat e “Montevideo Maru”, e cila shtrihet në një thellësi më të madhe se ajo e Titanikut, nuk do të nxirret në sipërfaqe. Asnjë objekt apo mbetje njerëzore nuk do të hiqet nga anija, në shenjë respekti për familjet e të vdekurve.

“Zbulimi i ‘Montevideo Maru’ mbyll një kapitull të tmerrshëm në historinë ushtarake dhe detare të Australisë”, tha John Mullen, drejtor i Fondacionit Silentworld, i cili drejtoi kërkimin, i cili u krye në bashkëpunim me kompaninë holandeze Fugro dhe ushtrinë australiane.

Midis të vdekurve në bord ishin 33 marinarë të anijes norvegjeze të mallrave Herstein, të cilët gjithashtu ishin kapur nga japonezët në Rabaul, dhe rreth 20 roje japoneze dhe anëtarë të ekuipazhit.

Qytetarë të disa vendeve të tjera janë ndër viktimat e mbytjes: Britania, Danimarka, Estonia, Finlanda, Irlanda, Holanda, Zelanda e Re, Ishujt Solomon, Suedia dhe SHBA.