Ballina Sport Kovë me ujë kokës Edlir Tetovës, i prishin konferencën! (VIDEO)

Kovë me ujë kokës Edlir Tetovës, i prishin konferencën! (VIDEO)

“Është emocion shumë i veçantë sepse bëhemi pjesë e historisë duke shkuar në finale për herë të parë”. Edlir Tetova kishte ndërmend të vazhdonte më gjatë të tregonte emocionet e tij për arritjen historike. Egnatia arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë për herë të parë në histori, duke mundur Vllazninë me rezultatin 1-0. E megjithatë, mendimet e Tetovës u ngëtarruan nga festa e lojtarëve të Egnatias, që ndërhynë në konferencën e trajnerit, duke i hedhur një kovë uji mbi kokë.

Pas këtij momenti festiv, Tetova vazhdoi më tej, duke shpjeguar arritjen e madhe të skuadrës Rrogozhinase. “Këtë finale ia dedikoj futbollistëve nga i pari te i fundit. Ky ekip është ndërtuar për 40 ditë. E kam ndërtuar sipas dëshirës time me lojtarët që më përshtaten dhe me bekimin e presidentit Agim Demrozi”, tha tekniku duke harruar ndryshimet e mëdha që bëri në fakt Shpëtim Duro në janar.

Tetova më pas u ndal në aktin e fundit të turneut, ku kërkon një lloj revanshi kundër Tiranës që në këtë sezon vetëm i ka mundur: “Nuk kam një skuadër favorite por besoj se do të jetë Tirana. E shpresoj ta kem në finale sepse më ka mundur 4 herë. Shpresoj të bëjmë mirë në finale”.

ALUDIMI I SEDLOSKIT
Goce Sedloski nuk mund të thotë shumë pas një serie shumë negative me Vllazninë. Dalja nga Kupa, pas 1-0 në kthim me Egnatian e ka vënë në një pozitë shumë të vështirë teknikun. Gjithësesi fjalët e thëna prej tij lënë më shumë se një dyshim: “Na ndodh që në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar gol në minutat e fundit. Ishte një gjysmëfinale dhe të gjithë jemi të zhgënjyer pasi nuk e kemi bërë punën siç duhet. Djemtë kanë luajtur në mënyrë korrekte. Por nga ana tjetër nuk dua të flas për disa gjëra që djemtë flasin në dhomat e zhveshjes. Kundërshtari nuk ishte më i mirë dhe penalltinë e anuluar nuk e di”. Gjithsesi ata shkuan në finale dhe ne do të shohim ndeshjet që kanë mbetur.