Ballina Aktualitet Me 800 mijë euro nga Qeveria, Komuna e Çairit deri në fund...

Me 800 mijë euro nga Qeveria, Komuna e Çairit deri në fund të vitit 2024 duhet të ndërtojë pishinë të mbyllur shkollore

Deri në dhjetor të vitit 2024 Komuna e Çairit ka afat të ndërtojë pishinën e mbyllur shkollore. Qeveria e RMV-së, nëpërmjet programit të Agjencisë për Rini dhe Sport, për këtë projekt i ka lëshuar komunës mjete në vlerë prej 50 milionë denarëve (mbi 800.000 euro). Nëse nuk e mbaron projektin në kohë, duhet që t’i kthejë mjetet, shkruan Portalb.mk.

“Qeveria me vendim ia ka transferuar mjetet për ndërtim të pishinës komunës, me obligim që i njëjti të ndërtohet për dy vjet, në të kundërtën duhet që t’i kthejë mjetet. Kështu, Komuna e Çairit do ta zbatojë procedurën për zgjedhjen e kontraktraktorit për ndërtimin e pishinës në Çair”, thanë për Portalb.mk nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Në lidhje me projektin, Qeveria njofton se kanë miratuar për ndarjen e mjeteve në dhjetor të vitit 2022, ndërkaq komuna duhet të dorëzojë raport deri në fund të vitit 2024.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e 14-të, të mbajtur më 22.12.2022, ka miratuar vendim për shpërndarjen e mjeteve të siguruara nga Programi për Objekte Sportive, zëri 448-donacione kapitale nga Njësia e Vetëqeverisjes Lokale (NVL) në Buxhetin e Agjencisë për rini dhe Sport për vitin 2022. Në pajtueshmëri me vendimin për shpërndarjen e mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetor të pushtetit qendror dhe nëpërmjet fondeve në vlerë prej 50 milionë denarë i ndahen Komunës së Çairit për ndërtimin e pishinës e mbyllur shkollore. Mjetet i ndahen në llogari të veçantë të Komunës së Çairit dhe Komuna obligohet të dorëzojë raport për shfrytëzimin e synuar të mjeteve deri te Agjencia për Rini dhe Sport deri në fund të dhjetorit të vitit 2024”, thonë nga Qeveria për Portalb.mk.

Në ueb-faqen e Byrosë për Furnizime Publike është hapur procedurë për furnizime publike për ndërtimin e pishinës, në prill të këtij muaji dhe procedura është ende e hapur. Megjithatë, aty nuk mund të gjenden dokumente në lidhje me këtë procedurë.

Edhe Agjencia, por edhe Qeveria, thonë se për më shumë detaje duhet të drejtohemi te Komuna e Çairit. Megjithatë, pavarësisht se Portalb.mk disa herë pyeti në Komunë për çështjen në fjalë, prej atje deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje.

Vendi në Fushë Topanë të Shkupit, ku duhet të ndërtohet pishina për nxënësit. Foto: Suad Bajrami

Vendi në Fushë Topanë të Shkupit, ku duhet të ndërtohet pishina për nxënësit. Foto: Suad Bajrami
Portalb.mk shkruajti për çështjen e ndërtimit të pishinave në Komunën e Çairit. Kryetari aktual i komunës, Visar Ganiu, gjatë mandatit të parë premtoi se në Çair do të ndërtohet pishinë, megjithatë e mbaroi mandatin, pa ndërtuar pishinë.

Ganiu, garoi për mandat të dytë nën sloganin “Zgjidh jetë voto blertë”. Ai në programin zgjedhor premtoi “pishina të reja për nxënësit në Çair” duke sqaruar se Komuna e Çairit i ka mbaruar të gjitha procedurat për dhënien e lejes të ndërtimit dhe për momentin është shpallur prokurim publik për ndërtimin e pishinës. Vlera 50.000.000 denarë (813.000 euro), me sipërfaqe: 620 m2, Dimensionet 30m gjatësi dhe 23m gjerësi.

Sipas programit, Ganiu premtoi ndërtimin e gjithsej 3 pishinave të reja, gjegjësisht dy për nxënësit dhe një pishinë të përgjithshme.

“Qëllimi i këtyre pishinave fillimisht është realizimi i planit sportiv të shkollave fillore në kuadër të edukatës fizike, me ç’rast nxënësit do të kenë mundësinë e mësimit të notit dhe rekreimit gjatë orarit të shkollës dhe jashtë saj. Pishina e parë e madhe do të ndërtohet tek ish-pishina në Komunë të Çairit, e cila do të mbulohet me fondet në kuadër të investimit strategjik me kompaninë Mabetex. Kjo pishinë do të jetë pjesë e një kompleksi të madh sportiv e profesional ku të rinia dhe qytetarët në përgjithësi do të kalojnë çaste të mira rekreimi dhe sporti”, thuhet në program.

Portalb.mk, paraprakisht vizitoi vendim ku parashikohet të ndërtohet pishina për nxënësit, në lokacionin afër shkollës Fillore “Imri Elezi” në Fushë Topanë, po në vend nuk mund të shihet asnjë aktivitet.

Situata është e njëjtë edhe në ish-pishinën e Komunës së Çairit, ku është paralajmëruar ndërtimi i kompleksit të madh sportiv e profesional, ku gjithashtu nuk ka asnjë aktivitet. Objekti i ish pishinës së Çairit, përdoret nga biznese private për aktivitete biznesore.

Në korrik të vitit 2022, Alsat njoftoi se projekti i qeverisë për ndërtimin e 14 pishinave të mbyllura është para dështimit, pasi që kompania që duhej të ndërtonte ka ndaluar të punojë pasi që njëri prej pronarëve të kompanisë ka përfunduar në burg.

Nisur nga fakti se Ganiu premtoi që në mandatin paraprak se Çairi do të ketë pishinë, mund të konkludojmë se ky premtim nuk është realizuar në afatin e dhënë.