39-vjeçarja shqiptare, Tefta Malaj është kërcënuar nga familjarët e burrit të saj Taulantit, i cili mëngjesin e 7 majit vrau vajzën e tij 16-vjeçare dhe fqinjin italian, me të cilin dyshonte se kishte lidhje.
Kështu shkruajnë mediat italiane, teksa i bëjnë jehonë dhe fushatës së nisur për të mbledhur fonte për të ndihmuar gruan dhe djalin e saj të mitur.
Kjo është fushata e nisur në Torremaggiore, në zonën e Foggia-s, nga disa qytetarë për të ndihmuar 39-vjeçaren shqiptare që i mbijetoi masakrës në shtëpinë ku jetonte me familjen e saj.
Taulant Malaj, i cili vrau me thikë vajzën e tij Xhesika 16-vjeçare dhe fqinjin 51-vjeçar Massimo De Santis ndodhet pas hekurave.
Gruaja me djalin 5-vjeçar, i cili i mbijetoi masakrës që ai dëshmoi, aktualisht ndodhet në një vend larg Torremaggiore, pasi ka marrë kërcënime nga të afërmit e burrit të saj dhe komente urrejtjeje, dhe mbi të gjitha pasi ka shprehur vullnetin për të mos u kthyer në shtëpinë, ku i është vrarë vajza.
Në ditët pas vrasjes së dyfishtë, avokati që ndihmonte gruan, Michele Sodrio kishte kontaktuar edhe bashkinë e Torremaggiores për të kërkuar ndihmë financiare për Teftën dhe fëmijën e saj.
Për atë që ka ndodhur në orët e fundit, Sodrio thotë se është “i lumtur, mbi të gjitha për solidaritetin që po tregojnë shumë njerëz”.