Donald Trump abuzoi seksualisht me ish-gazetaren dhe shkrimtaren E. Jean Carroll në vitet 1990, e më pas ka dëmtuar reputacionin e saj duke e quajtur gënjeshtare. Në këtë përfundim dolën të martën 9 anëtarët e jurisë së Nju Jorkut, pasi peshuan për rreth tre orë, argumentet dhe faktet lidhur me një padi civile kundër ish-presidentit.
Ky i fundit pritet t’i paguajë zonjës Carroll një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh. Vendimi i jurisë vjen në një kohë kur zoti Trump po zhvillon fushatën për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Juria e përbërë nga gjashtë burra e tre grave mori një vendim unanim lidhur me rastin. Ish-gazetarja dhe shkrimtarja E. Jean Carroll akuzoi zotin Trump për përdhunim. Sipas saj ngjarja ka ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996.
Por zoti Trump e ka mohuar një gjë të tillë duke i cilësuar akuzat mashtrim. Ditën e hënë, gjatë paraqitjes së argumenteve mbyllëse, avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, tha se historia e zonjës Carroll është shumë e dyshimtë për t’u besuar. Sipas zotit Tacopina, ajo e ka sajuar ngjarjen me qëllimin për të shitur një libër me kujtime të publikuar në vitin 2019, si dhe për të denigruar politikisht zotin Trump. Por të martën juria vendosi në favor të shkrimtares.
Në klimën e polarizuar politike që ekziston në vend, duket e pamundur që verdikti i jurisë të ketë ndikim tek mbështetësit kryesorë të zotit Trump, të cilët i shohin sfidat e tij ligjore, si pjesë të një përpjekjeje të bashkërenduar nga kundërshtarët e tij, për ta dëmtuar atë.