Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është betuar sot si kreu i shtetit,
“Unë, si president, betohem për nderin dhe integritetin tim përpara kombit dhe historisë së madhe turke për të mbrojtur ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit … t’i përmbahem kushtetutës, shtetit të së drejtës, demokracisë, parimeve dhe reformave të Ataturkut, dhe parimet e republikës laike”, tha Erdogan në një ceremoni në parlamentin në Ankara, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion të shtunën.
Udhëheqësi 69-vjeçar më vonë gjatë ditës do të emërojë kabinetin e tij. Ai përballet me sfida të konsiderueshme diplomatike, mes tensioneve me Perëndimin. Inaugurimi i së shtunës në parlament do të pasohet nga një ceremoni luksoze në pallatin presidencial në kryeqytetin Ankara ku marrin pjesë dhjetëra liderë botërorë.