Shqipëria vazhdon të jetë nën ndikimin e të nxehtit afrikan. Sipas sinoptikanëve, dita e shtunë do të jetë edhe më e nxehtë, pasi temperaturat do të shënojnë 42-43 gradë celsius.
Qyteti më i nxehtë do jetë Elbasani, por edhe jugu i vendit. Ky i nxehtë do të vazhdojë deri në mesin e javës tjetër, ku më pas do të ketë një rikthim në vlerat normale dhe termometri do shënojë deri në 37 gradë.
“Edhe gjatë këtij 24 orëshi Shqipëria do të jetë nën ndikimin e të nxehtit afrikan duke bërë që i gjithë territori të përjetojë temperatura të larta. Ka një rënie të lehtë në zonat veriore, por mbetet intensive vala në qendër kryesisht në qarkun e Elbasanit dhe në jug ku presim temperatura deri në 42 gradë. Sa i takon Tiranës, sot do të regjistrojë 40 grade celsius. Dita e nesërme do të jetë një ditë shumë e nxehtë pasi do të kemi një tjetër rritje të temperaturave ku priten edhe vlera 42 apo 43 gradë. E diela do të sjellë një rënie të lehtë të tyre. Java tjetër nis me valët e të nxehtit afrikan që do mbetet deri në mesin e saj. Pra deri ditën e enjte na presin ditë shumë të nxehta. Pas ditë së enjte do të kemi tërheqje të valës së nxehtë duke rikthyer temperaturat 37 gradë celsius”, tha sinoptikania Porja.