Ballina Bota Konflikti në Ukrainë, paralajmëron Trump: Mund të nisë Lufta e Tretë Botërore

Konflikti në Ukrainë, paralajmëron Trump: Mund të nisë Lufta e Tretë Botërore

Donald Trump  e quajti edhe një herë hetimin për lidhjet e mundshme të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2016 me Rusinë një mashtrim, ndërkohë që e lidhi gjithashtu skandalin Russiagate me pushtimin e mëvonshëm të Ukrainës nga Moska.

Në një artikull në Newsweek, ish-presidenti amerikan akuzoi armiqtë e tij politikë për një komplot që synonte shfarosjen e tij politike. Siç theksoi ai, ky komplot shkaktoi shkatërrime të pallogaritshme, me viktima jo vetëm të tij, por kryesisht të qytetarëve amerikanë, duke cenuar shtetin demokratik dhe sigurinë e vendit.

Sipas Trump, “histeria masive” e shkaktuar nga hetimi është pjesërisht përgjegjëse për vendimin e Rusisë për të hyrë në një konflikt që mund të përfundojë në Luftën e Tretë Botërore.

“Një sërë zyrtarësh në nivelet më të larta të qeverisë sonë, në bashkëpunim me kandidaten e tyre të zgjedhur, Hillary Clinton, dhe aleatët e tyre në media organizuan një tentativë de facto grusht shteti të njohur si mashtrimi rus,” tha Trump duke sulmuar edhe një herë kundërshtaren  e tij demokrate në zgjedhjet e 2016.

Duke cituar një raport nga këshilltari special Joe Durham që u publikua në maj, i cili tha se FBI nuk duhet ta kishte nisur kurrë atë hetim, Trump, i cili do të kërkojë sërish nominimin republikan për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme pavarësisht nga pengesat e tij ligjore foli edhe për Rusinë, raporton abcnews.al.

“Në një kohë kritike kur duhet të reduktonim tensionet me Moskën, mashtrimi rus ndezi histerinë masive që e çoi Rusinë drejt në krahët e Kinës. Në vend që të kishim një marrëdhënie më të mirë me Rusinë si ajo që po përpiqesha të ndërtoja, tani jemi në një luftë proxy me të, e nxitur pjesërisht nga efektet e vazhdueshme të delirit Russiagate.

Ukraina është shkatërruar plotësisht, njerëz të panumërt kanë vdekur, madje mund të shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore”.

Trump pohoi në shkrimin e tij se ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe zëvendëspresidenti i atëhershëm (dhe presidenti aktual i SHBA-së) Joe Biden ishin informuar mbi planin e Hillary Clinton në verën e vitit 2016 për të “demonizuar Trumpin”, duke krijuar një skandal për mbështetjen e supozuar  të fushatës së tij zgjedhore nga shërbimet sekrete të Rusisë.

/abcnews.al