Ukraina së shpejti do të pranojë nga Shtetet e Bashkuara tanket M1 Abrams, ndërsa forcat e Kievit kanë bërë përparim “të qëndrueshëm” në kundërofensivën ndaj trupave të Moskës, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Në fillim të vitit, Uashingtoni i premtoi Kievit këto lloje tankesh. Ato janë pjesë e ndihmës të sigurisë në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh që SHBA-ja i ka ndarë për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
“Me kënaqësi njoftoj se tanket M1 Abrams, që SHBA-ja më herët i ka premtuar [Kievit], shpejt do të hyjnë në Ukrainë”, tha Austin sot në nisjen e takimit të Grupit të Kontaktit për Ukrainën. Takimi po zhvillohet në Gjermani.
Tanket do të pajisen me municione 120 milimetërshe me uranium të varfëruar. Municione të tilla, që SHBA-ja njoftoi muajin e kaluar se do t’i japë Ukrainës, janë kundërthënëse pasi lidhen me probleme shëndetësore, sikurse kanceri dhe defektet në lindje. Këto probleme shëndetësore janë raportuar në zonat ku municione me uranium të varfëruar janë përdorur në konflikte në të kaluarën edhe pse ende nuk është përcaktuar përfundimisht se ato i kanë shkaktuar këto probleme.
Ukraina ka nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse në qershor, por kundërsulmi ka qenë më i ngadalshëm, përderisa forcat e Kievit janë përballur me mbrojtje të ashpër. Austin tha se kundërofensiva “po vazhdon të bëjë përparim të qëndrueshëm”.
“Trupat ukrainase po thyejnë vijat e fortifikuara të ushtrisë agresore të Rusisë”, tha ai.
Shefi i mbrojtjes së SHBA-së po ashtu mirëpriti ministrin e ri të Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov, i cili u emërua në këtë pozitë më herët gjatë këtij muaji. Një zyrtar i mbrojtjes në SHBA tha para takimit në Gjermani se ky takim është një mundësi “për të dëgjuar nga Umerovi për vizionin e tij dhe për prioritetet e tij”.
SHBA-ja ka udhëhequr mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, duke krijuar një koalicion që mbështet Kievin, pasi Rusia nisi pushtimin. Dhjetëra shtete marrin pjesë në Grupin e Kontaktit për Ukrainën. Mbështetësit e Ukrainës po ashtu u kanë ofruar trajnim trupave të Kievit, ndërkaq SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, që kanë prekur sektorin financiar, atë të teknologjisë dhe eksportet e energjisë./REL