Ballina Bota SHBA dhe Irani shkëmbejnë të burgosur, Teherani merr 6 miliardë USD

SHBA dhe Irani shkëmbejnë të burgosur, Teherani merr 6 miliardë USD

5 shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, arritën në Katar të hënën, në shkëmbim të 5 iranianëve të ndaluar në SHBA. Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes dy vendeve kundërshtare u ndërmjetësua nga Katari. Në marrëveshje gjithashtu përfshihet edhe zhbllokimi i fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh nga një bankë koreanojugore.

Një aeroplan i Katarit i transportoi pesë shtetasit amerikanë dhe dy të afërm të tyre nga Teherani, menjëherë pasi të dy palët u njoftuan se fondet ishin transferuar në llogari bankare në Doha, tha për agjencinë e lajmeve Reuters një burim me dijeni për këtë çështje. Shkëmbimi u bë ndërsa është shtuar prania e forcave ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik, me mundësinë edhe të vendosjes së tyre në bordin e anijeve tregtare, me synim ruajtjen e tyre ndërsa përshkojnë Ngushticën e Hormuzit, nga e cila kalojnë rreth 20% e ngarkesave me naftë të botës.

“Sot, pesë amerikanë të pafajshëm që ishin burgosur në Iran, po vijnë më në fund në shtëpi”, u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në një deklaratë të publikuar në momentin e mbërritjes së avionit në Doha. Pasi avioni mbërriti, 3 nga të liruarit u pritën nga ambasadori amerikan në Katar, Timmy Davis.

Në një deklaratë të bërë në emër të tij, njëri prej të liruarve, Siamak Namazi, shprehet se: “Nuk do të isha i lirë sot, nëse nuk do të ishit të gjithë ju që nuk ia lejuat botës të më harrojë. Ju falenderoj që ishit zëri im kur unë nuk flisja dot për veten dhe që u siguruat që unë të dëgjohesha kur gjeta fuqinë për të ulëritur nga brenda mureve të papërshkueshëm të Burgut Evin”.

Në të njëjtën kohë, dy nga pesë iranianët e ndaluar në Shtetet e Bashkuara mbërritën në Katar, tha një zyrtar amerikan. Tre të tjerë kishin kërkuar të mos ktheheshin në Iran. Zhbllokimi i fondeve mundësoi shkëmbimin e të burgosurve në bazë të një marrëveshje të arritur pas disa muaj bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella lidhur me ambiciet bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera.

Pesë amerikanët me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe iraniane, do të dërgohen me avion nga Doha drejt Shteteve të Bashkuara. “Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha një zyrtar iranian me njohuri mbi procesin e lirimit të të burgosurve amerikanë. Në shkëmbim, pesë iranianë të arrestuar në SHBA do të lirohen. Më herët, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se dy iranianë do të kthehen në Teheran, ndërsa dy do të qëndrojnë në SHBA me kërkesën e tyre. Një i burgosur do t’i bashkohej familjes së tij në një vend të tretë, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani tha se fondet, të bllokuara në Korenë e Jugut pasi sanksionet amerikane ndaj Iranit u ashpërsuan në vitin 2018, do të jenë në dispozicion të Teheranit të hënën. Sipas marrëveshjes, Katari do të sigurojë që fondet të përdoren për blerjen e mallrave për qëllime humanitare. Deri tani nuk ka patur komente publike nga qeveria amerikane. /VOA