Ballina Bota Blog i drejtpërdrejtë mbi luftën Izrael-Hamas

Blog i drejtpërdrejtë mbi luftën Izrael-Hamas

Blog i drejtpërdrejtë mbi luftën në Izrael

VIDEO: Ministri i Jashtëm britanik në Izrael përballet me sirenat e alarmit, vrapon për t’i shpëtuar sulmeve të Hamasit

Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverley ka udhëtuar sot drejt Izraelit për të shprehur solidaritetin e tij dhe për të treguar mbështetjen me popullin e Izraelit, pas sulmeve nga grupi i armatosur Hamas.

Lajmi i njoftua nga Ministria e Jashtme. Sekretari i Jashtëm ndërsa ishte duke vizituar qytetin Ofakim në jug të Izraelit, është përballur me sirenat që paralajmëruan një sulm me raketa të Hamasati.

Në një video të publikuar në rrjete sociale shihet edhe momenti kur Cleverley vrapon për t’u mbrojtur nga sulmet ndërsa fshihet në një ndërtesë aty pranë. Ky është realiteti me të cilin izraelitët po përballen çdo ditë shkruan në mesazhin e tij sekretari i Jashtëm britanik.

Rrëfimi i një të mbijetuari nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit

Ndërkohë që autoritetet në Izrael po përballen me pasojat e sulmit të së shtunës nga militantët e Hamasit ndaj komuniteteve izraelite në jug të vendit, një i mbijetuar i këtij sulmi ndau me Zërin e Amerikës përjetimin e familjes së tij ndërkohë, që po strehoheshin nga raketat dhe të shtënat e militantëve që kishin depërtuar në Izrael nga Rripi i Gazës.

Shay Golani ishte duke fjetur, kur të shtunën në agim, u zgjua nga alarmi i aplikacionit telefonik që paralajmëron banorët e Izraelit për sulmet me reketa. Ai jeton në jug të Izraelit, në kufi me Gazën, një territor i kontrolluar nga grupi i Hamasit. Vendbanimet izraelite janë të rrethuara me gardhe sigurie dhe sirenat që paralajmërojnë rrezikun nga raketat, nuk janë të pazakonshme. Por, për banorët e Zikimit, një vendbanim buzë detit, strehimi në dhomën bunker – dëshmi e konfliktit të gjatë ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve – kësaj radhe nuk do të mjaftonte.

“Dhjetë sekonda pas alarmit, dëgjuam zhurmën e raketave që po hynin në Izrael. Veç tyre, dëgjuam shumë të shtëna armësh dhe të tilla nuk jemi mësuar t’i dëgjojmë gjatë një sulmi të tillë. Gjithmonë sulmohemi me raketa, por jo kështu. Shumë raketa hynë brenda vendbanimit tonë. Celularët u ndërprenë, nuk kishim qasje dhe nuk po e kuptonim se çfarë po ndodhte jashtë. Kishte shumë të shtëna dhe tani e kam kuptuar se ata (militantët e Hamasit) po përpiqeshin të depërtonin përmes detit, jo vetëm nga toka, por ishin zbrapsur nga flota detare izraelit. Një makinë me terroristë provoi të hynte në lagjen tonë,” thotë zoti Golani.

Sulmi i grupit militant Hamas filloi të shtunën herët me lëshimin e rreth 2000 raketave dhe depërtimin e fortifikimit që ndan Gazën me Izraelin. Mijëra militantë të armatosur, u sulën drejt vendbanimeve izraelite, duke vrarë dhe rrëmbyer familje të tëra, të moshuar e fëmijë dhe të rinj që po festonin në një festival të muzikës aty pranë. Pesë ditë pas sulmit të Hamasit, autoritetet izraelite njoftojnë për 1200 civilë izraelitë të vrarë, përfshirë edhe raportet fillestare nga Izraeli që flisnin për 40 foshnje të gjetura në vendbanimin Kfar Aza. Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar gjendje lufte dhe ka filluar sulme të pandërprera ajrore ndaj Gazës, një vendbanim palestinez, me një dendësi të madhe popullsie, ku tani raportohet për 1055 të vdekur, përfshirë familje e fëmijë.

Ditën e sulmit, me të dëgjuar alarmin, Shay Golani, u strehua së bashku me dy binjaket 3 vjeçare dhe bashkëshorten, në dhomën bunker të shtëpisë.

“Një bombë e madhe ra pranë shtëpisë, duke e dredhur të tërën. Pas 10-15 minutash, dëgjova zëra që po vinin nga jashtë dhomës së blinduar. Aty nuk kemi dritare për të parë se çfarë po ndodhte jashtë. Dritarja është e mbyllur me hekur dhe askush nuk mund ta hapë nga jashtë. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur aty. Pas pak, provova të dalë për të parë se ç’po ndodhte. E pashë që dera e shtëpisë ishte hapur dhe shkova në gjunj për ta mbyllur, sepse nuk doja që të më shihnin nga jashtë. E mbylla dhe u ktheva në dhomën e blinduar. E mbajta dorezën e derës për 20 minuta që askush të mos të mund ta hapte,” thotë ai.

Zoti Golani thotë se ai dhe familja e tij ishin me fat.

“Në vendbanimin tonë, kemi një njësit special të përbërë nga vetë banorët, qytetarë të zakonshëm, shtetas izraelitë të pajisur me armë. Ata na kanë mbajtur të gjallë. Militantët provuan të gjuajnë me raketa RPG brenda vendbanimit tonë dhe të depërtojnë brenda me makinë. Por, me shumë fat, patrulla arriti t’i zbrapsë. Ne nuk na është lejuar të dalim nga dhoma e blinduar deri në orën 8 të mbrëmjes, rreth 14 orë pasi filloi sulmi. Atëherë i morëm të gjitha gjërat që arritëm t’i mbledhim dhe u larguam nga shtëpia,” thotë ai.

Ai thotë se që nga kur është larguar, ka kuptuar dëmet që janë shkaktuar nga sulmi i Hamasit në vendbanimin e tij. Por, ai thotë, se në krahasim me komunitetet e tjera përgjatë Rripit të Gazës, ku kishin depërtuar militantët e armatosur, banorët e Zikimit kanë arritur të shpëtojnë.

“Ata nuk luftuan me ushtarë. Hamasi është njësoj si ISIS-i. Nuk kanë mëshirë. Janë vrasës. Kanë rrëmbyer foshnje. I kanë vrarë prindërit në sytë e fëmijëve. Tmerri ndodhi në Izrael,” tha zoti Golani.

Kjo është hera e gjashtë që zoti Golani braktis shtëpinë e tij. Tani, i strehuar në një vendbanim tjetër në brendësi të Izraelit me pjesëtarë të komunitetit të tij, ai thotë se nuk është i sigurtë nëse do të kthehet më në shtëpinë e tij.

“Kam jetuar në Rripin e Gazës për gjashtë vjet dhe jemi përballur me Hamasin; në të kaluarën na kanë sulmuar disa herë dhe ne jemi përgjigjur disa herë, por jo në një shkallë të këtillë. Është çmenduri. Vranë fëmijët dhe familjet tona. Çdo ditë dëgjoj për një të njohur të vrarë, apo për fatin e të cilit nuk dihet. Dhe mendoj se qeveria izraelite nuk ka bërë sa duhet për të na mbrojtur. Nuk mendoj se jemi të sigurtë të kthehemi në shtëpi…,” thotë ai.

Ai e ka të pamundur të parashikojë të ardhmen pas shkallës së sulmit të së shtunës.

“Në Gaza ka njerëz të mirë, njerëz që vinë në Izrael për të punuar dhe ata mund të jenë fqinj të mirë. Por edhe ata po vuajnë nga regjimi i Hamasit. Hamasi merr shumë para nga shumë shtete të botës dhe i investon për të siguruar raketa më të mira, për të ndërtuar tunele për t’u futur në Izrael dhe për të vrarë njerëz, jo për të mbështetur banorët e Gazës,” thotë zoti Golani.

Këshilltari i Netanyahut: Izraeli po përgatitet për luftë në dy fronte

Në një kohë kur konfliktet mes Izraelit dhe Hamasit janë në “të kuqe” , ka shqetësime në rast se një grup luftëtarësh nga Libani vendos të përfitojë nga situata dhe Izraeli do të detyrohet të luftojë në dy fronte.

Tashmë, Hezbollahu ka pranuar se ka nisur sulmet kundër Izraelit dhe në orën e fundit, civilëve në veri të vendit u është thënë të mbrohen për shkak të hyrjes së “avionëve armik” nga Libani.

Një këshilltar i lartë i kryeministrit Netanyahu, Mark Regev, i tha Sky News se ai ishte “i shqetësuar” nëse Hezbollahu do të “përshkallëzonte situatën”.

“Ne nuk duam të shohim një përshkallëzim në veri, por nëse na detyrohet një luftë me dy fronte, ne nuk do të habitemi. Jemi të përgatitur, jemi gati dhe do të fitojmë” , tha ai. “Nuk është e lehtë, por asnjë luftë nuk është kurrë e lehtë. Ne jemi përgatitur për çdo rast dhe mund të luftojmë, nëse është e nevojshme, në një luftë me dy fronte” .

Regev tha se vendi dëshiron të dalë nga ky konflikt me një  “realitet të ndryshëm” dhe Gaza “nuk do të jetë e njëjtë” .

“Lufta do të përfundojë sipas kushteve tona”, shtoi ai, duke thënë se një zgjidhje do të “ndryshojë rrënjësisht” situatën në Gaza.

LEXO EDHE:

Histori dhe politikë, çfarë duhet të dini rreth palëve të përfshira në luftën në Izrael

Tmerret e sulmit të Hamasit ndaj komuniteteve kufitare po shfaqen, me fëmijët e gjetur “të therur” në një kibuc, tha ushtria izraelite dhe të paktën 1200 njerëz të vrarë në Izrael.

Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore , duke goditur qindra objektiva, duke i kthyer në rrënoja lagjet dhe duke vrarë të paktën 1,055 njerëz, sipas zyrtarëve palestinezë.

Një krizë humanitare po shpaloset me shpejtësi në Gaza, me qindra mijëra të zhvendosur, shumë prej tyre janë të shkëputur nga ushqimi dhe energjia elektrike. Furnizimi me energji elektrike në enklavë do të ndalet “brenda disa orësh”, paralajmëroi qeveria e saj e kontrolluar nga Hamasi pasi ministri i mbrojtjes i Izraelit tha se ai “ka hequr të gjitha kufizimet” ndaj trupave.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tetova News (@tetovanews)

Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti sulmin e Hamasit një “akt të së keqes së plotë” dhe konfirmoi se 14 amerikanë u vranë dhe të tjerë mbaheshin robër . Deri në 150 pengje besohet se mbahen në Gaza, tha një zyrtar izraelit. Ndërkohë, dërgesa e parë e armëve ka mbërritur nga SHBA që nga sulmet e Hamasit, tha Izraeli.

Shefi i Shtabit të Izraelit: Edhe nëse ka kufizime, ne po sulmojmë çdo vendndodhje të njohur të liderëve të Hamasit

Shefi i Shtabit të Izraelit, Herzl Halevi, tha të mërkurën se IDF ka sulmuar me forcë Rripin e Gazës për disa ditë. Në një bisedë me rezervistët e IDF-së ai tha se “Ne sulmojmë çdo vendndodhje të njohur të militantëve dhe liderëve të Hamasit, edhe nëse ka kufizime. IDF operon në mënyrë të përshtatshme, i bën gjërat në mënyrë të saktë, por shumë të fuqishme.”

Dërgesa e parë e armëve nga SHBA mbërrin në Izrael

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se avioni i parë me armë nga SHBA ka mbërritur në bazën ajrore Nevatim në Izraelin jugor të martën vonë në mbrëmje.

“Bashkëpunimi mes ushtrive tona është një pjesë kyçe e sigurimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kohë lufte”, shkroi IDF në një postim në X (ish-Twitter).

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit publikoi një video të mbërritjes së dërgesës, raporton NewYorkPost.

Rikujtojmë, se presidenti i SHBA-së Joe Biden telefonoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën, për të theksuar mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Izraelin.

FOTOT: Rrugë të dëmtuara, ndërtesa të rrënuara, imazhet pas bombave të Izraelit në Gaza

Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shihni atë që ka mbetur nga disa zona të Gazës, pas sulmeve ajrore të Izraelit, një kundërpërgjigje kjo ndaj operacionit të së shtunës të Hamas, ku u vranë qindra civilë izraelitë dhe një numër ende i paqartë u mor peng.

Mbrëmjen e së hënës, Izraeli bombardoi të paktën 200 objektiva në Gaza, teksa kryeministri Netanjahu premtoi më herët se hakmarrja izraelitë do të ndryshojë tërësisht historinë në Lindjen e Mesme.

Ai gjithashtu iu kërkoi të gjithë palestinezëve që nuk e mbështesin Hamasin, të largohen nga vendi, pasi goditja do të jetë tepër e fortë.

“Frikë nga një revoltë arabe”, Izraeli: Do të pajisim civilët me armë

Teksa ushtria izraelite ka rrethuar Gazën dhe nisja e një inkursioni nga toka për të neutralizuar plotësisht forcat e Hamasit pritet në orët në vijim, ministri i Sigurisë në Jerusalem ka hedhur idenë e pajisjes së civilëve hebrej me armë.

“Lufta tregon se është e nevojshme shpërndarja e armëve për qytetarët”, tha ministri Itamar Ben Gvir.

Duke iu referuar trazirave të majit 2021 në të cilat shpërtheu dhuna e gjerë në qytetet izraelite me popullsi të përzier hebreje dhe arabe, Ben Gvir tha se kishte udhëzuar shefin e policisë që të përgatitej për t’i bërë ballë një kryengritje të re.

“Unë mendoj se është afër“, tha ai.

Ben Gvir foli për shtypin në Sderot, një qytet pranë Rripit të Gazës duke theksuar: “Kam dhënë urdhër që nga sot të gjithë këtu të mund të ecin të armatosur”.

Sakaq, zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari ka njoftuar mediat se 18 pjesëtarë të milicisë së Hamasit u vranë nga forcat izraelite. “Këta janë terroristët që nuk ishin kthyer në Gaza. Kjo është arsyeja pse kontrollet bëhen me një numër të madh ushtarësh”, shpjegoi ai.

Ndërkohë, raportohet se të paktën 7 gazetarë kanë mbetur të vrarë në Rripin e Gazës që kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit. Kjo bëhet e ditur nga grupet e lirisë së shtypit, sipas të cilave ky numër mund të rritet edhe më tej në ditët në vijim.

Sa i përket Gazës, Presidenti i Autoritetit Palestinez të Energjisë, Thafer Melhem njoftoi se dy milionë banorë do të mbeten plotësisht pa energji elektrike brenda 10-12 orëve, pasi i vetmi termocentral që furnizon zonën do të mbesë pa karburant si pasojë e bllokadës nga Izraeli.

@tn.lajmelokale
@tetovanews