3 hetime kanë nisur nga autoritetet në Britani pas vdekjes së një 37-vjeçari shqiptar në një qendër për emigrantët.
The Guardian shkruan se shqiptari, Alfred Dosku, i cili vdiq të premten, kishte tentuar të vetëvritej vetëm një javë më herët në qendrën e emigrantëve Brook House, që ndodhet pranë aeroportit Gatwick.
Për pasojë ai ishte dërguar në spitalin e East Surrey dhe ishte vendosur në kujdes intensiv.
Mëngjesin e së shtunës, Home Office konfirmoi vdekjen e tij, policia, mjeku ligjor dhe avokati i popullit kanë nisur hetimet.
Ndërkohë, menjëherë pas tentativës për vetëvrasje nga shqiptari, në Brook House, një qendër për të cilën ka një hetim publik, u organizua një protestë kryesisht nga shqiptarë, që ndodhen në të. Tentativa e vetëvrasjes ishte e dyta, shkruan The Guardian. Më herët një tjetër shqiptar kishte tentuar po ashtu vetëvrasjen.
Ky i fundit ishte deportuar menjëherë më pas, por ishte rikthyer sërish në Britani, pas një beteje ligjore nga avokati i tij, i cili kishte apeluar urdhrin e deportimit. Home Office e riktheu në Britani, sërish në Brook House, pasi ra dakord për ta shtyrë largimin e tij.
Sipas një raporti të përpiluar nga psikologu, që media britanike thotë se e ka lexuar, Home Office-it i kërkohej që të bënte një vlerësim të plotë klinik për rastin e shqiptarit përpara se të vijonte me dëbimin e tij.
“Nëse kjo nuk bëhet, ekziston rreziku që personit në fjalë t’i shkaktohet një dëm i pariparueshëm për mirëqenien e tij psikologjike e fizike”, thuhej në raport.
Një prej shqiptarëve që ishte pjesë e protestës tha se të dy bashkëkombësit e tij kishin tentuar vetëvrasjen sepse kishin frikë për sigurinë e tyre, për shkak të vendimit të pashmangshëm për t’i kthyer në Shqipëri.
“Një prej tyre më tha që do ishte më mirë të vdiste në Britani sesa të kthehej në Shqipëri. Nuk trajtohemi mirë në qendër. Nuk jemi kafshë, jemi qenie njerëzore”, tha ai për The Guardian.
Home Office citon shpesh atë që e përshkruan si ‘një marrëveshje historike të përbashkët’ me Shqipërinë, të firmosur më 13 Dhjetor 2022, për të përshpejtuar kthimin e të gjithë shqiptarët ilegalë në vendlindjen e tyre.
Megjithatë, The Guardian shkruan se avokatë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se shumë prej shqiptarëve që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar, për arsye të tilla si trafikimi apo gjakmarrja, janë të rrezikuar, nëse kthehen forcërisht në vendlindjen e tyre.
Në një reagim për vdekjen e shqiptarit, një zëdhënës i Home Office tha: “Mendimet dhe ngushëllimet tona shkojnë për familjen dhe miqtë e tij. Mirëqenia e atyre që janë nën kujdesin tonë është me rëndësi të madhe. Çdo vdekje në qendrat e emigrantëve është një ngjarje tragjike dhe do të hetohet nga policia, mjeku ligjor dhe avokati i pavarur”.
Më 26 Mars të 2023-t, Frank Ospina, një 39-vjeçar nga Kolumbia vdiq në qendrën e emigrantëve në Heathrow, pasi u vetëvra.