Ballina Aktualitet “La Repubblica”: Pse marrëveshja Rama – Meloni mund të jetë blof

“La Repubblica”: Pse marrëveshja Rama – Meloni mund të jetë blof

Nga pranvera e ardhshme pritet një vajtje-ardhje të anijeve mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo, nëse vihet në zbatim marrëveshja që kryeministrat Giorgia Meloni dhe Edi Rama firmosën për krijimin e një qendre për të pritur emigrantët e shpëtuar në Mesdhe prej anijeve italiane. Gazeta italiane “La Repubblica”, në një shkrim të saj të gjatë thotë se nuk është çudi që e gjithë kjo të jetë një blof.

Gazeta shkruan se në bazë të marrëveshjes, azilkërkuesit duhet të kryejnë procedura të përshpejtuara për maksimumin 30 ditë. E gjithë procedura është marrë përsipër nga Italia që duhet të dërgojë në Shëngjin të gjithë stafin teknik, avokatët, gjyqtarët dhe zyrtarët që do përfshihen në procedura. Gazeta është munduar që të shpjegojë hap pas hapi procedurat që sipas asaj që është shkruar në letër mund të mos jetë aq e thjeshtë.

Shpëtimi

Kur një automjet ushtarak italian thirret për të shpëtuar një varkë emigrantësh, padyshim që do të duhet marrë në bordin e saj të gjithë pasagjerët e asaj varke. Në anijen ushtarake nuk do të bëhet asnjë klasifikim i emigrantëve dhe asnjë identifikim paraprak. Në Shqipëri do të sillen vetëm meshkuj të rritur. Kjo do të thotë se anija ushtarake italiane, direkt nga vendi i shpëtimit, duhet të niset drejt Shqipërisë ku do të zbresin vetëm burrat. Gratë, të miturit dhe personat vulnerabël do të duhet të qëndrojnë në bord dhe për këtë arsye do të dërgohen menjëherë në Itali. Dhe ky është udhëtimi i parë.

Identifikimi

Në portin e Shëngjinit do të zhvillohen procedurat e identifikimit dhe foto-etiketimit të emigrantëve. Aty do të konstatohen kombësitë dhe do të mblidhen kërkesat për azil dhe për këtë arsye do të bëhet një dallim midis atyre që vijnë nga një vend i konsideruar i sigurt (që sipas ligjeve italiane mund ta ndalohen të kryejnë procedura të përshpejtuara kufitare dhe kryejnë një riatdhesim të mundshëm) dhe atyre që vijnë nga vende të pasigurta. Këta të fundit, nuk mund të ndalohen të kërkojnë azil. Edhe këta, sipas marrëveshjes, nuk mund të qëndrojnë në tokën shqiptare dhe për këtë arsye Italia do t’i marrë menjëherë matanë detit ku kërkesa e tyre për azil do të trajtohet sipas procedurave të zakonshme. Dhe ky është udhëtimi i dytë.

Paraburgimi

Ata që në vend të kësaj do të ndalohen, do të duhet të kalojnë procesin e procedurave të përshpejtuara kufitare, ndaj do të duhet një urdhër i një komisariati të policisë (ndoshta ai në Bari), por vendimi do të duhet të merret në prani të një avokati mbrojtës (ndoshta nga gjykata e Barit) dhe të pritet që akti të marrë vulën nga një gjyqtar (në Bari?) i cili gjithashtu mund të kërkojë të dëgjojë pretendimet e emigrantit. Prandaj, për çdo urdhër ndalimi, ekziston frika për një udhëtim të ri vajtje-ardhje për personelin italian.

Por çfarë do të ndodhë nëse (siç edhe ka ndodhur deri tani) gjyqtarët nuk e aprovojnë ndalimin e azilkërkuesve të firmosur nga komisari i policisë? Natyrisht, sapo një gjyqtar liron një emigrant, ai duhet të dërgohet menjëherë në Itali. Protokolli i nënshkruar saktëson se asnjë emigrant, në asnjë rrethanë nuk mund të lihet i lirë në territorin shqiptar. Dhe kështu, një tjetër udhëtim.

Riatdhesimi

Për ata që duhet të dëbohen brenda 30 ditëve, siç parashikon procedura, udhëtimi i riatdhesimit në vendin e origjinës duhet të bëhet menjëherë. Këtu është e nevojshme të thuhet se të vetmit që Italia mund të kthejë në shtëpi janë tunizianët, duke qenë se me këtë vend Roma ka një marrëveshje riatdhesimi. Me asnjë vend tjetër Italia nuk është në gjendje t’i hipë në avion refugjatët dhe t’i kthejë mbrapsht. Por emigrantëve që ndodhen në Shqipëri nuk mund t’i jepet urdhri i dëbimit që i kërkon atij të largohet nga vendi brenda 7 ditëve. Fillimisht do të duhet të dërgohet në Itali. Dhe ky pritet të jetë fati i shumicës së emigrantëve që do të sillen në Shqipëri.

Mjafton vetëm një numër. Këtë vit janë gjithsej 4000 emigrantë që Italia ka arritur t’i riatdhesojë dhe nga këta afërsisht 2500 janë tunizianë. Nuk duket se ka ndonjë shenjë se në vitin 2024, Italia do të jetë në gjendje të dërgojë në shtëpi 36 mijë emigrantë që në letër Shqipëria është e gatshme të presë përkohësisht.

Ka edhe disa paqartësi juridike. Këshilli Evropian për Refugjatët dhe Emigrantët, ECRE, shprehu shqetësim nëse marrëveshja nuk bie ndesh me të drejtat ndërkombëtare. Sipas ECRE, rrezikohet që të shkelet e drejta ndërkombëtare e detit ku thuhet se “shpëtimi përfshin transportin dhe zbarkimin në vendin më të afërt të sigurt” dhe që sipas saj mbetet thelbësor. “Për momentin nuk është e qartë nëse Shqipëria mund të konsiderohet një “vend i sigurt” për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore” – nënvizon ECRE.

Me pak fjalë, shkruan “La Repubblica” asgjë më shumë se blofi i zakonshëm i politikës së Romës dhe Tiranës. ©Marrë nga La Repubblica, LAPSI.al