Krahu i armatosur i grupit të Xhihadit Islamik Palestinez publikoi video të reja të dy pengjeve izraelitë që po mbahen në Gaza. Grupi tha se ishte i përgatitur të lironte një grua 77-vjeçare dhe një djalë 13-vjeçar për arsye humanitare dhe mjekësore, por vetëm nëse do të respektoheshin “masat e duhura”.
Izraeli i përshkroi videot si një shenjë të rëndësishme të jetës, por nuk pranoi të thoshte nëse ato do të publikoheshin edhe nga Izraeli. Kjo sepse sipas tyre do të kishte ndikim në “terrorin psikologjik të rrëmbyesve”.
Në video shihen dy pengje duke iu drejtuar kamerës. Hanna Katsir, një grua rreth të 70-tave, shihet e ulur në një karrige me rrota. Ajo u rrëmbye nga kibuci Nir Oz më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin. I dyti është një djalë adoleshent nga i njëjti komunitet. Të dy pengjet kritikojnë ashpër kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Është e paqartë nëse ata po lexojnë diçka të shkruar. Mediat perëndimore thanë se nuk do ta transmetojë videon e cila zgjat pak më shumë se 3 minuta. “Të burgosurit e luftës dhe pengjet mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ne nuk transmetojmë materiale që mund të jenë filmuar nën presion” – u shpreh BBC.
Më herët, presidenti izraelit, Isaac Herzog hodhi poshtë raportet se një marrëveshje për lirimin e disa prej pengjeve të mbajtura në Gaza mund të jetë e afërt. Ushtria izraelite thotë se 242 persona mbahen peng nga Hamasi.
4 pengje janë liruar më herët dhe një tjetër është liruar nga forcat izraelite. Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta” brenda Gazës. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë më parë se pengjet përfshijnë 20 fëmijë dhe 10-20 persona të moshës mbi 60 vjeç. ©LAPSI.al