Ballina Kronika Babai i Liridona Ademaj dyshon se Naim Murseli organizoi vrasjen e saj...

Babai i Liridona Ademaj dyshon se Naim Murseli organizoi vrasjen e saj për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Hajdar Ademaj, babai i Liridona Ademaj, e cila u vra të mërkurën dhe që dyshohet se vrasja u porosit nga burri i saj, Naim Muresli, ka thënë se dyshon se ngjarja mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi.

“E di që vajza ka qenë e siguruar atje ku ka qenë, pra në Suedi. Atje ka sigurim të madh. Po ta gjen ndonjë gjë, merrë para të mëdha”, tha babai i Liridonës për “News24”.

E, vazhdoi Ademaj, “unë veç qaty dyshoj se për me mbyt këtë, me ja marrë qatë sigurim, asgjë tjetër”. “Krejt katundi, e krejt farefisi e di se çfarë vajze kam pasur unë”, shtoi.

I pyetur nëse ndonjëherë vajza e tij Liridona ka pasur probleme me bashkëshortin e saj Naimin – i dyshuar se ka porositur vrasjen e gruas së tij – Ademaj mohoi një gjë të tillë.

“Asnjëherë, asnjëherë”, insistoi ai.

Çfarë ndodhi?

Të mërkurën në mbrëmje u vra Liridona Ademaj në fshatin Sinidoll të Prishtinës.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje gjatë një grabitjeje të armatosur.

Dy ditë më vonë Policia e Kosovës arrestoi dorasin si dhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, si të dyshuar për vrasjen.

Dorasi i arrestuar, i tregoi Policisë së Kosovës, se u pagua nga bashkëshorti i viktimës për të kryer vrasjen.

Bashkëshorti gjatë intervistimit nga hetuesit, të premten, pranoi se e ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Nga deklarimi i bashkëshortit u mësua se ia kishte dhënë dorasit 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë euro të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Në anën tjetër një i dyshuar i tretë u vu nën pranga në orët e vona të së premtes.

Ai dyshohet se ka lidhje me vrasjen e gruas në Prishtinë.