Prokuroria Publike njoftoi se sot në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës Vanja Gjorçevska e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, kurse në periferi të Velesit trupi i pajetë i Pançe Zhezhovskit, 74 vjeçar, nga Velesi, i cili më datë 24.11.2023 u raportua si i zhdukur. Sipas njoftimit, në lidhje me të dyja rastet dyshohet përfshirja tre personave për të cilët kërkohet masa e paraburgimit, njëri ndodhet jashtë vendit, shkruan Portalb.mk.
Zhezovski ishte parukier dhe kryetar i Unionit të Veteranëve të Maqedonisë së Bashkuar. Së fundmi ai doli në një konferencë për shtyp, në mbështetje të pensionistëve për kërkesat e tyre për rritje lineare të pensioneve. Ai ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe shpesh publikonte pikëpamjet e tij për aktualitetin në vend.
I dyshuari kryesor për dy vrasjet, sipas burimeve të policisë për Meta.mk, është Lj.P nga Shkupi me nofkën “Pallço.” Aktualisht ai ndodhet në arrati. Bëhet fjalë për një person kontrovers të njohur për publikun e gjerë në Shkup dhe Maqedoni, i cili merrej me biznesin e ndërtimit të banesave, dhe për disa kohë ishte aktiv në disa parti politike.
Dy nga personat e arrestuar fillimisht u konstatuan se nuk kishin lidhje me ngjarjen dhe u lanë të lirë. Ndërkohë, paraburgimi kërkohet për tre persona të tjerë, të cilët ndodhen para gjykatësit në procedurë hetimore dhe së shpejti do të dërgohen në burgun hetimor në Shutkë. Në polici po merret në pyetje një familjar i 14-vjeçares Vanja.
Dy vrasjet, siç njoftojnë nga MPB-ja, kanë qenë të motivuara nga i njëjti motiv, “interes financiar”.
Vetura e Zhezhovskit nga Velesi është gjetur në fshatin Brazdë, e djegur në të njëjtën ditë kur u zhduk 14-vjeçarja Vanja. Jozyrtarisht, vajza është rrëmbyer me të njejtën veturë, tip “Citroen”. Trupi i saj është gjetur sot në fshatin Orman, ku më herët është gjetur edhe “Citroen” i djegur.
Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike sot dolën me kumtesë për dy ngjarjet tragjike, e cila nuk është plotësisht qartë sa i përket motiveve dhe krimi po trajtohet si “interes financiar”.
Nga masat operative të ndërmarra siç kumtuan MPB dhe PP, është konstatuar se e mitura Vanja është futur në makinë në hyrje të vendbanimit të saj, dhe nga informacionet e siguruara gjatë hetimit u konstatua se ajo u vra të njëjtën ditë (27 nëntor) rreth orës 10:00.
Menjëherë pas raportimit se janë zhdukur dy personat, u kryen kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera në rajonet e SPB Shkupit, SPB Velesit dhe SPB Shtipit, ku u gjetën dhe u konfiskuan telefona celularë, kompjuterë, një veturë etj., u kryen biseda me familjarët, miqtë dhe personat që mund të kishin ndonjë informacion, dhe në veprimet hetimore çdo ditë ishin të përfshirë disa qindra zyrtarë policorë që punonin ekskluzivisht në këto raste.
Hetuesit nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe nga Prokuroria Themelore Publike e Velesit kryen inspektime në të dyja vendet ku u gjetën trupat e personave në fjalë, urdhëruan ekspertizën e të gjitha dëshmive të mbledhura si dhe autopsinë e trupave të viktimave.
Pas zhdukjes së të dy personave, u mblodhën të gjitha regjistrimet e mundshme nga kamerat e instaluara në afërsi të vendngjarjeve, u bë lokalizimi me ndihmën e stacioneve bazë të sinjaleve telefonike, u krye analiza dhe ekspertiza e pajisjeve elektronike, ekspertiza e gjurmëve materiale dhe dëshmive, përfshirë edhe makinën e djegur. U morën dëshmitarë persona që mund të kishin njohuri të caktuara për ngjarjen dhe në bazë të të gjitha provave të mbledhura, ngjarja u zbardh, u caktuan të dyshuarit kryesorë dhe motivet e tyre.
Pas kompletimit të dëshmive dhe ekspertizave të urdhëruara, prokuroria ndaj të gjithë të dyshuarve do të nisë procedurën e përshtatshme.
Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës, por policia nuk dha më shumë detaje. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.