Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Furkan Saliu, ka publikuar një video në “PortaliX” të automjeteve me të cilat u rrëmbye 14-vjeçarja Vanja, pak para se të ndodhte vrasja.
Në video duken dy makina të llojit “Citroen” dhe një “Reno” e bardhë. Sipas videos, në “Citroen” duket një shofer dhe një pasagjer anësor, që të dy me kapele të zeza.
Nga video nuk mund të shihet saktësisht nëse dikush po transportohet në sediljen e pasme por ka diçka që duket sikur një thes i bardhë.
Ora e lëvizjes së makinave në Vizbeg të Shkupit, që është në largësi 15 deri 20 minuta nga vendi ku është rrëmbyer Vanja shënon 07:55.
Më vonë, në 9:37 kamerat regjistrojnë tym të zi që supozohet të jetë nga makina e djegur Citroen me të cilën bartej vajza e të cilën policia e gjeti disa ditë më vonë.
Nëse koha në të cilën është regjistruar lëvizja e dy veturave nëpër Vizbegov në video është e besueshme, bëhet fjalë për 40 minuta para se nëna e Vanja Gjorçevskës ta raportojë zhdukjen e vajzës së saj (08:35), dhe kjo tregon se rrëmbyesit e kanë bërë vrasjen me paramendim dhe plan dhe jo në panik nga mobilizimi i policisë dhe qytetarëve për ta gjetur vajzën.
Fakt tjetër është edhe lokacioni që është përcaktuar prej më herët që të kryhet vrasja.