Ballina Aktualitet VIDEO/Vrasja që tronditi Kosovën/ Zbardhet dosja e krimit monstruoz, si e organizoi...

VIDEO/Vrasja që tronditi Kosovën/ Zbardhet dosja e krimit monstruoz, si e organizoi Naim Murseli ekzekutimin e Liridonës dhe dyshimet e policisë

Në emisionin “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala në News24, zbardhen detaje të reja nga vrasja e 30-vjeçares Lirdona Ademaj, ku autori kryesor i dyshuar është bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Gazetarja Lala ka arritur të intervistonte disa nga pjesëtarët e familjes Ademaj, më konkretisht Hajdar Ademaj (babai), Leonard Ademaj (vëllai) dhe kushëririn e viktimës, Sadri Ademaj.

Sipas dosjes së Gjykatës në Kosovë, Naim Murseli i premtoi 30 mijë euro Granit Plavës dhe e pajisi atë me armë.

Dosja:

Ai mendonte se duke vrarë gruan e tij kishte kryer një krim perfekt, por Naim Murseli, nga fshati Cërmjan i Gjakovës, dikur këshilltar i ish-presidentit dhe deputetit aktual të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk kishte nga ta dinte se jo vetëm krimi perfekt nuk ka ekzistuar kurrë.

Ai as nuk u sigurua që krimi i tij i përsosur, të mos dukej si një grabitje amatore dhe ta shpërfaqë atë sot si burrin më të urryer në sytë e opinionit publik, pasi u mësua se ai ishte organizatori i ekzekutimit në pritë të bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

Krim ky tronditës i ndodhur mbrëmjen e 29 Nëntorit, në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë, vetëm 500 metra larg banesës së tyre të re, ku Naimi u mundua ta rrëfejë vrasjen e së shoqes, si një grabitje që pasi keqbërësit pasi iu morën sendet me vlerë e qëlluan atë për vdekje.

VIDEO:

Por ku ajo që e shokoi edhe më shumë opinionin publik, mjaftueshëm të tronditur nga vetë forma se si 30-vjecarja u ekzekutua, ishte edhe mënyra se bashkëshorti i saj jo vetëm u përpoq të fshihte vrasjen që kishte organizuar po vetë, por edhe priti dhe përcolli me dorë në zemër njerëz të shumtë të ardhur për ngushëllim në banesën e tij në fshatin Cërmjan.

Por çfarë e shtyu këtë burrë të vriste në këtë mënyrë kaq tinëzare dhe të pabesë, gruan dhe nënën e dy fëmijëve të tij të mitur? A ishin paratë e siguracionit të së shoqes që e shtynë drejt këtij krimi, apo të tjera pista priten të zbardhin të vërtetën e ekzekutimit të Liridonës, për të cilat Naimi ka vendosur të heshtë? Dhe të mos tregojë cili është motivi i vërtetë që e shtyu drejt inskenimit të këtij krimi, që e ka damkosur, jo vetëm si burrin që ekzekutoi partneren dhe nënën e dy fëmijëve të tij, por edhe si bashkëshortin e pabesë që nxorri gruan në pritë dhe ia mbathi duke e lënë trupin e saj të dergjej në makinë, të qëlluar nga një grabitës i rremë i porositur nga po ai vetë?

Sipas raportimeve të para, policia mori njoftim se në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ një grua ishte vrarë brenda një automjeti dhe dyshohej se krimi kishte ndodhur gjatë një grabitje. Dhe se persona të armatosur i kishin dalë përpara çiftit të identifikuar si Naim Murseli dhe Liridona Ademaj, të cilët bashkë me dy djemtë e mitur, po udhëtonin drejt shtëpisë së tyre.

Sipas këtyre raportimeve, burri me dy djemtë kishte mundur të dilte nga makina bashkë me fëmijët, ndërsa gruaja ishte qëlluar për vdekje. Në orët në vijim, policia e Kosovës do të kuptonte se nuk bëhej fjalë për një grabitje që përfundoi me vrasje, por krimi ishte i mirëmenduar.

Rrëfimet kontradiktore të vetë Naim Murselit do ta ndihmonin në këtë hetim, teksa tentonte të fshihte gjurmët e krimit që kishte porositur vetë, Naim Murseli shfaqej nervoz e kontradiktor. Një ditë më vonë, policia nuk kishte më dyshime, që Naim Murseli, kishte urdhëruar ekzekutimin e gruas nga vrasës me pagesë.

Dyshimet e familjes Ademaj, në fshatin Rracaj të Gjakovës, ku Liridona u lind dhe u rrit bashkë me 4 motra e dy vëllezër, nuk mungonin as në krye të herës, kur iu desh të përballeshin me lajmin e hidhur të humbjes tragjike të vajzës së tyre. Liridona për ta ishte një vajzë e qeshur, e dashur, që kurrë nuk u kishte shkaktuar probleme. Ajo kishte qenë aty edhe natën para vrasjes, por një thirrje për t’u ngritur nga bashkëshorti i saj Naimi, kishte bërë që ajo që të çohej dhe të shkonin fillimisht të darkonin në një restorant në Graçanicë dhe prej aty në shtëpinë e tyre të posablerë në Prishtinë, ku rrugës kishin marrë me vete në makinë edhe dy fëmijët.

Ajo që ndoshta i shpërqendroi disi në krijimin e bindjes së vrasësi i vërtetë ishte Naimi, ishte ndoshta tronditja e parë që ata pësuan. Në atë amulli ata e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë kishte ndodhur me njeriun e tyre, por shpejt ata do të nuhasnin se Naimi ishte i pasinqertë në thëniet e tij, të cilat ishin konfuze dhe shpesh kontradiktore me njëra-tjetrën.

Madje ai as nuk denjoi t’i lajmëronte familjarët e Liridonës se ku ndodhej trupi i saj, pasi ishte qëlluar në pritë.

“Dyshimet e tona kanë lindur kur përshembull ai nuk është paraqitur në rastin…ne s’kemi pas’ njohuri për ku është motra jonë ku gjendet, ne e kemi dit’ se na kanë thënë është vrarë dhe ne s’kemi dit se ku është. Na kanë thënë është në morg, ne s’kemi pas asnjë lloj informacioni. Naimi sipas familjarëve të Liridonës, nuk u bë i gjallë as në vazhdim, qoftë për tu treguar se çkishte ndodhur atë mbrëmje”, ka deklaruar Sadri Ademaj, kushëriri i Liridonës.

Si i kishin zënë pritë grabitësit makinës së tyre dhe pse grabitësi nuk sulmoi atë vetë, por qëlloi drejt Liridonës?

“Tashti m’u çu me të dalë ty hajni për paret e ti me kapë dy fëmijë e me dalë ngadalë. Fëmija 4 vjeç e 5 vjeç janë, e me shku 1 kilometër larg, e mos me dit, mos me kthy kokën prej gruas tënde aty, mu aty më lindi dyshimi.

Edhe kur erdhi policia jo vallaj janë vonu pak, atëherë jo s’janë vonu hiç. Ani a ka pas kamera se te dera a na një send. Jo s’ka kamera. “A pate pare me vete”, se ja morën ata. “Vallaj po i kam pas” tha, dikur “jo s’kam pas, krejt pak pare”.

Thashë atë floririn që ka pas në dorë vajza ja ka pre kush? “Jo kërrkush”.

Thash e pse dolen ata? A e din, e shikoja se në fjalë të veta, nuk i preke një vend fjala. Aty dyshova në të se 99% ky është fajtor, me grup të vetin.”,ka deklaruara babai i Liridonës, Hajdar Ademaj.

Në atë moment të gjithë menduan se Naimi është i shokuar nga vdekja tragjike e së shoqes dhe në kushtet e tronditjes së fortë psikike, mund të kishte humbur toruan. Për këtë arsye ata thonë se shkuan ta takonin vetë Naimin, i cili i priti në një lokal.

“Edhe e kemi marrë një iniciativë këtu …për me shku’ e taku Naimin personalisht sepse atë e kam njohur, kam ndenjur me të, kemi pas raport të mirë, për mu ka qenë e dyshimtë, gjestet e tija. Asnjëherë nuk ka mujt’ me e thënë një fjalë të njëjtë. Nuk ka mujt asnjë fjalë të njëjtë me e thënë.”, ka deklaruar kushëriri i Liridonës, Sadri Ademaj.

Kushëriri i Liridonës thotë më tej se Naimi nuk i priti i vetëm në lokal, por ndodhej aty në praninë edhe të një personi të dytë, i cili përpiqej përgjatë gjithë kohës, t’i korigjonte thëniet.

Çka la shumë dyshime te familjarët e Liridonës se Naimi dhe personi i pranishëm me të në atë moment, po përpiqeshin të krijonin një alibi e cila herë-herë, rrëzonte thëniet e vetë Naimit. Madje për të kuptuar më mirë se çfarë kishte ndodhur, familjarët e Liridonës, shkuan me Naimin dhe personin që e shoqëronte, i prezantuar si shoferi i Pacollit, edhe në rrugicën ku ndodhi krimi, në Prishtinë.

“Ne na ishte vra’ motra, edhe në vendin e ngjarjes ku kemi shku’ nuk ka dit’ me na tregu.

E kam pyetur: “Naim ku ka dalë personi i maskuar, qysh ka qenë reagimi, çfarë …doli përpara veturës, ku shkoj, a erdhi nga pjesa e pasagjerit apo e shoferit, ka shkoi”?

Aty tha unë nuk e di, se kam qenë në telefon..kam qenë në telefon dhe nuk e di. Po veç e kam dëgju Liridonën që ka thënë: ‘O hajnat hajnat’.

Thashë “Mirë, e pse ndaloi Liridona, pse e ndaloi Liridona veturën. Tha “Nuk e di pse e ndaloi”.”, ka deklaruar më tej kushëriri i Liridonës, Sadri Ademaj.

Këto thënie kontrakditore dhe të pasigurta ishin vetëm baza e dyshimeve të para që famuiljarët e Liridonës filluan të kishin te Naimi, por ende pa besuar se ishte ai autori i inskenimit të vrasjes së saj.

Naimi sipas tyre nuk dinte të tregonte me saktësi se kush kishte qenë atë natë në timon. Ai apo Liridona? Ku në një moment ai thoshte se në timon ndodhej ai vctë dhe në një tjetër dëftente se në drejtimin e makinës, ishte Liridona, çka rriti edhe më shumë dyshimin te familja e Liridonës se ky njeri nuk po tregonte të vërtetën dhe se diçka po përpiqej të fshihte.

“Thash “Ku u kon tu vozit Liridona apo…Po tha Liridona u kon tu vozit.”

Thashë “Pse e le me ndalu veturën, thashë a ishin shumë persona a qysh ishin?”

Tha “Një person u kon’, tha po Liridona ndaloj. Dikur tha, jo nuk u kon’ Liridona, jam kon’unë tu vozit.”

Po thashë “Si ka mundësi ti je dhe në telefon se ai thojke kam qenë në telefon kështu, si ka mundësi se ti je kon tu vozit dhe në telefon në të njëjtën kohë?”, ka deklaruar Sadri Ademaj, kushëriri i viktimës, Liridona Ademaj.

Ky nuk ishte momenti i vetëm kur Naimi shfaqej dyshues në sytë e familjarëve të Liridonës, në rrëfimet e tij. Ai tregua i tillë edhe kur foli për paratë që grabitësi i kishte marrë gjatë pritës, por edhe për celularin e tij, që tha se ia kishte marrë njeriu i maskuar me armë në dorë. Telefon që në fakt çuditërisht vazhdonte të ishte i ndezur edhe pse kishin kaluar disa orë nga kryerja e krimit.

“Më pas i thamë “Pse nuk na hap telefonin se ne të kemi thirrur. Tha telefonin nuk e kam unë, telefonin ma kanë vjedhur. Po si ne po të thirrmim, telefoni po bën dhe po na e mbyll dikush…tha “jo tha, numrin tim me gjithë telefon ma kanë marë hajnat”.

Dhe i thamë “jo duhet me thirr policinë me i thënë që numri është i hapur”.”, ka deklaruar më tej Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.

Të njëjtën pyetje për telefonin i bëri Naimit edhe kushëriri i Liridonës, i cili po fillonte të kuptonte se kishte përballë një njeri thellësisht të paqëndrueshëm.

Por a mundej një burrë të ikte dhe të linte gruan e tij të vetme me një grabitës dhe të mos përballej me të, qoftë ky edhe grabitësi më i egër.

Në dëshminë e tij Naimi tha se ai kishte marrë fëmijët dhe kishte dalë me shpejtësi nga makina, duke e lënë Liridonën aty, sipas tij duke u përleshur me grabitësin, dhe se në atë moment ajo kishte në çantë 3 mijë euro.

Por ndërsa pyetej gjithmonë e më shpesh, pikërisht për këtë moment, ai njëherë thoshte se ishte larguar në anën e poshtme të rrugës dhe në një moment tjetër, ndryshonte thëniet e tij, duke ndryshuar drejtimin nga ishte larguar. Dyshimi u rrit gjithmonë e më shumë te familja e Liridonës, nga ndërhyrjet e shpeshta të personit të dytë që shoqëronte atë ditë, Naimin, i cili kujdesej vazhdimisht që thëniet e tij të kishin koherencë me të tijat. Ndërkohë që krimi kishte ndodhur jo shumë larg banesës së çiftit të bashkëshortëve që kishin konsumuar së bashku 13 vite martesë.

Leonardi, vëllai i Liridonës, kujton se Naimi kishte qenë edhe në banesën e tyre, natën pasi kishte ndodhur ngjarjen dhe trupi i Liridonës ndodhej ende në morgun e spitalit të Prishtinës. Por edhe në këtë qëndrim të shkurtër të tij në banesën e prindërve të bashkëshortes, tashmë të ndjerë, ku kishte ardhur të merrte fëmijët, ai ishte përpjekur të tregohej i rezervuar në thëniet e tij.

“Atë natë kur ne ishim në Prishtinë dhe kryem ceremoninë mortore erdhëm në shtëpi sepse kishim mysafirë nga gjithë vendi. Dikur Naimi tha: “Dua ti marr fëmijët sepse fëmija ishte këtu te ne. Dhe erdhi këtu e ndenjti, ka ndenjt’ ndoshta gjysëm ore-1 orë. Ja bëmë gati fëmijët me i marr. Sepse të nesërmen tha, pas ditës së varrimit në ora 8 më ka kërkuar hetuesia me i marrë në pyetje fëmijët. Atë natë nga këtu Naimi ka marrë fëmijët e ka shku në Prishtinë”, ka deklaruar vëllai i i Liridonës, Leonard Ademaj.

Ajo çka i habiti edhe më shumë familjarët e Liridonës ishte largësia, apo ftohtësia të cilën Naimi tregoi edhe gjatë pranisë në morg, ndërsa ata kishin shkuar për të tërhequr trupin e Liridonës. Ky burrë që kishte ndarë kaq shumë gëzime dhe halle me gruan e tij, tani po i qëndronte larg duke u justifikuar se nuk mund ta shihte dot. Kjo, e mirëkuptueshme për një njeri me zemër të dobët, por jo për dyshimet e të afërmve të Liridonës, që po kuptonin gjithmonë e më shumë se diçka nuk shkonte ne sjelljen e këtij njeriu.

Aq sa nuk po e njihnin aspak, Naim Murseli, burri i trishtuar për humbjen e gruas së tij, që përcillte me dorë në zemër, gjindjen që e kishte ardhur për mort, nuk vonoi të rrëfejë të vërtetën e tij tronditëse. I vënë përballë provave të pakundërshtueshme, që e implikonin atë në organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës, ai pranoi krimin monstruoz.

Grahma e tij u bë zbulimi i shpejtë nga policia e Prishtinës, i dorasit që ngriti armën dhe qëlloi mbi Liridonën, i cili u identifikua nga kamerat spiune të vendosura në kryeqytetin e Kosovës, nga policia. Lëvzje të cilat jo vetëm e tradhtuan dhe e vendosën përballë gjetjeve të pamohueshme të organit të akuzës por edhe të takimeve që ai kishte bërë me Naim Murselin. Vetëm pak ditë para se ata të vendosnin të kryenin krimin, ky doras rezultoi të jetë Granit Plava (Bashkëfshatar me bashkëshortin tashmë vrasës), թka çoi në dyshimin e arsyeshëm të organit të akuzës në Prishtinë, se krimi ishte menduar shpejt dhe keq.

Lajmi që ishte padyshim shokues edhe për vetë familjen e Liridonës, të cilët e mësuan, se vrasësi i bijës së tyre ishte bashkëshorti, vetëm një orë pasi Liridona ishte përcjellë për në banesën e fundit, në fshatin Cërmjan, të atij që duhet të ishte partneri i saj në besnikëri derisa jeta ti ndante dhe jo ti merrte jetën, ashtu sikurse ndodhi.

“Në orën 2 e morëm ne motrën tonë për me e çu në varreza, shkuam te varrezat e çuam ne dhe e varrosëm nga ora 2, pasi e varrosëm, na thanë me ndejt aty deri pas darke nga ora 5. Pasi u krye varrimi, diku nga ora 3, deri nga ora 2.30-3 prindi im dhe vëllai më tha që “Mere mamin, gruan e familjarët e me shku në shtëpi” se mbase ata e kishin kuptu’ rastin ….

Pasi mbërritëm në shtëpi këtu sa kena hyrë babai tha që “Më ne nuk duhet të shkojmë atje sepse po të ishte burrë do të kishte mbrojtur vajzën tonë e gruan e tij dhe nuk duhet ta kishte lënë ashtu”. Pas 5 minutash qarkulloi në lajme që ishte arrestuar Naim Murseli dhe ne u habitëm”, ka rrëfyer Leonard Ademaj, vëllai i viktimës.

Po përse Naim Murseli çoi në mendje dhe vuri në zbatim planin për vrasjen e bashkëshortes dhe nënës së dy djemve të tij të mitur? A ishte ky një krim pasioni, apo në mes u futën paratë? Cila ishte jeta e Liridonës në Suedi, dhe a u bënë pasuritë e saj në këtë vend dhe siguracioni i jetës prej miliona euro siç thonë familjarët e saj, arsyeja që joshën kaq fort Naimin sa e çuan deri te mendimi kriminal për të vrarë bashkëshorten dhe për të përfituar nga pasuria e saj?

Sipas familjarëve të Liridonës, 30 vjeçarja kishte 13 vite që ishte lidhur në kurorë me Naimin. Ata kishin jetuar për shumë vite në shtetin suedez, aty ku Liridona falë aftësive të saj kish mundur që jo vetëm të stablizonte jetën e saj, por edhe të krijonte sipërmarrje në fillim modeste, por që shpejt kishin pasur ecuri të mbarë, duke sjellë edhe të ardhura të konsiderueshme.

Por ndërsa kishte krijuar këtë mirëqënie për familjen, paralelisht edhe bashkëshorti i saj Naimi, kishte filluar të ndërtonte një karrierë të lavdërueshme pranë politikës deri në sferat më të larta të saj. Duke arritur deri në pozitat e këshilltarit të një drejtuesve më të rëndësishëm politikë në Kosovë, por edhe të një prej manjatëve më të rëndësishëm në botën e biznesit, atë të Behgjet Pacollit. Pozita dhe jetë luksi që duket se mund ta kenë shfrenuar ndjeshëm xhepin e tij. Një pistë edhe kjo në hetim nga organi i akuzës në Kosovë, por edhe nga vetë familjarët e Liridonës, të cilët thonë se ai bënte një jetë të shfrenuar luksi. Ndaj familjarët dyshojnë se Naimi e vrau Liridonën për shkak të probleme financiare.

Sipas tyre Naimi ishte zhytur thellë në borxhe dhe të vetmen mundësi shpëtimi që ka gjetur për të dalë nga ky batak, ka qenë përfitimi i pasurisë së Liridonës, por duke e hequr atë qafe.

Dhe kështu mendohet se ai e ka thirrur fillimisht në Kosovë, pasi ajo jetonte në Suedi, duke u kthyer vetë i pari në Kosovë, ku edhe bleu një banesë në Prishtinë.

Për ta bërë fakt të kryer qëndrimin e tij në Kosovë dhe për ta përdorur si karrem që edhe bashkëshortja të kthehej dhe të qëndronte aty, bashkë me fëmijët. Por në Kosovë, përflitet shumë edhe për një histori divorci midis Naimit dhe Liridonës. Një histori që thuhet se ka nisur në vitin 2019, por kurrë e konfirmuar, por në këtë histori një rol të dyshimtë del të ketë edhe një person i tretë, që është nipi i Naimit.

Ky person është Kushtrim Kokalla, efektiv në Forcat e Sigurisë së Kosovës, edhe ky i arrestuar në lidhje me vrasjen e Liridonës. Kushtrim Kokalla, që është edhe vëllai i një zyrtari policor, që aktualisht shërben në Policinë Rajonale në Gjakovë, i cili i shprehte ngushëllime familjes Murseli përmes një postimi në facebook, për humbjen e Liridonës.

Duke shkruar ‘Zoti e mallkoftë dorasin! Do të kujtojmë gjithmonë me mall Lili’. Pa e ditur ndoshta se pjesëmarrës në vrasjen e Lilit, apo Liridonës, mund të ishte edhe vëllai i tij.

Ndërsa pas mësimit të lajmit të arrestimit të vëllait, zyrtari i policisë së Kosovës, Konan Kokalla, ka reaguar duke e cilësuar të pabesueshëm përfshirjen e njeriut të afërt në këtë ngjarje.

“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di. Vallahi nuk besoj! Ai ka qenë shumë lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën.

“Nuk kam informata tani për familjen e Liridonës. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po n’a duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send”, ka deklaruar Konan Kokalla, vëllai i Kushtrim Kokallës.

Por organi i akuzës në Prishtinë ka tjetër mendim nga familja Kokalla, në lidhje me përfshirjen e familjarit të tyre në organizmin e vrasjes së Liridonës. Ndërkohë që janë zbuluar të dhëna kompromentuese për tre personat e përfshirë në këtë ngjarje, të cilët janë njohur edhe me masat e tyre të ndalimit, me burg deri në përfundim të hetimeve.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga mediat në Kosovë, vetëm pak ora para krimit Naim Murseli ishte takuar me Kushtrim Kokallën duke i thënë se sot duhet të kryhet ajo punë.

Rezulton se Naim Murseli me të mbërritur në Kosovë, u takua në qytetin e Gjakovës, dhe i tregoi nipit të tij Kushtrim Kokallës, përplasjet që kishte me bashkëshorten, probleme që nuk sqarohen se të çfarë natyre janë. Hetuesit besojnë se përmes Kokallës, ai në fillim kontaktoi Granit Plavën, një bashkëfshatar të tijin, të cilit i premtoi shumën prej 30 mijë eurosh, që ai të ekzekutonte Liridonën dhe ngjarja të trajtohej si grabitje, me qëllim që të fshihnin gjurmët e krimit.

Nga hetimet rezulton se Naim Murseli i siguroi armën e krimit Granit Plavës dhe më pas bëri planin djallëzor dhe ftoi për darkën e fundit, gruan e tij Liridonën në një restorant në Graçanicë.

Në ambjentet e lokalit, ku darkonte çifti me dy fëmijët është parë edhe Granit Plava, i cili e ndoqu çiftin me makinë dhe në një zonë të pambuluar me kamera në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ iu doli përpara duke u hequr si grabitës dhe qëlloi mbi gruan. Në një kohë që sipas marrëveshjes paraprake me Naim Murselin, ky i fundit nxori dy djemtë nga makina dhe u largua. Ai ishte i pari që u arrestua dhe menjëherë pranoi krimin dhe rrëfeu se Murseli ishte urdhëruesi, plan për të cilin Granit Plava pranoi se Naim Murseli do e paguante 30 mijë euro.

“I pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridona Ademaj.

Paraprakisht Naim Murseli e kishte pajisur me armë të pandehurin Granit Plava dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29 Nëntor 2023 rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës.

Naim Murseli ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera dhe dy fëmijët e tyre ku papritmas ka dalë para veturës i pandehuri Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur. Në në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri Granuit Plava e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë Liridona Ademaj ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht i kishte premtuar Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 000 00 €.”, thuhet në versionin zyrtar të Gjykatës kosovare.

Për babain e Liridonës krimi është më shumë se i përbindshëm. Për më shumë kur është bërë nga njerëzit të cilët Liridona dhe ata vetë u besonin më së tepërmi dhe nuk do besonin kurrë që do të ishin ata që do ti merrnin jetën dhe kjo sipas tij vetëm për para.

“Këta janë të gjithë të pabesë, edhe aty u kon’ si grup tashi me këtë Kushtrim Kukallin. Para s’di sa dite kanë gjetur te 15.000-20.000 Euro në njëfarë restoranti. Ku i mori ai ato pare? E tashti këta janë met’ pa pare, kta s’di sa mirë i kanë prish dhe kunorat me gra të veta, për me marë pare prej tjerve se janë met’ pa pare. Tash’ me siguri ky u ra teposhtë. Ktij i duhen paret se ky ka bo jetë lluksoze.”, ka deklaruar babai i viktimës, Hajdar Ademaj.

Por a është lakmia për paranë që shtyu Naimin të vrasë Liridonën? Apo kjo dosje do rezervojë të tjera surpriza që mund ti çojnë hetimet në drejtim të një tjeër piste deri më sot të pamenduar, që mund ta intrigojë edhe njëherë fuqishëm, vrasjen e të resë nga bashkëshorti i saj.(BalkanWeb)

@tn.lajmelokale
@tetovanews