Ballina Bota BE, plan sekret për të falimentuar Hungarinë nëse Orbán nuk dorëzohet

BE, plan sekret për të falimentuar Hungarinë nëse Orbán nuk dorëzohet

Zyrtarët në Bruksel kanë hartuar një “plan sekret” për të sabotuar ekonominë e Hungarisë nëse Viktor Orbán vendos këtë javë të bllokojë sërish një paketë mbështetjeje prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën. “Financial Times” raporton se ka një tërbim që po rritet në kryeqytetet evropiane ndaj asaj që një diplomat e quajti “politika e shantazhit” që po ndiqet nga kryeministri hungarez, i cili udhëheq shtetin më pro-rus të BE-së.

“FT” shkruan se strategjia e BE-së përfshin shënjestrimin e ekonomisë së Hungarisë, dobësimin e monedhës së saj dhe uljen e besimit të investitorëve. Orbán bllokoi dhënien e 50 miliardë eurove për Ukrainën në dhjetor, duke detyruar caktimin e një takimi urgjent të liderëve të enjten që vjen për të rishqyrtuar çështjen. Sipas FT, dokumenti citon se “në rast të mosarritjes së dakordësisë në 1 shkurt, krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive do të deklarohen publikisht për sjelljen jokonstruktive të kryeministrit hungarez”.

Burimet thanë se kryeqytetet e BE-së kishin ende shpresë për një marrëveshje me Orbanin dhe e shohin nxjerrjen e lajmit si një lëvizje politike me rrezik të lartë që mund të shkaktojë pasoja të kundërta. Monedha hungareze, Forinta, u zhvlerësua me 0.7% të hënën kundrejt euros. Ekonomia e Hungarisë është shumë e varur nga tregu i BE, me pothuajse të gjitha eksportet e saj që shkojnë përtej kufirit në vendet fqinje. Sipas të dhënave të KE, tregtia brenda BE-së përbën 78% të eksporteve të Hungarisë (Gjermania 28%, Rumania, Sllovakia, Austria dhe Italia të gjitha 5%), ndërsa 3% shkon në SHBA dhe 3% në Mbretërinë e Bashkuar.

BE-ja është përpjekur të përdorë ndarjen e fondeve të saj si një mjet për të detyruar Hungarinë të jetë në përputhje me politikat dhe zbatimin e shtetit të së drejtës, një kërkesë bazë e anëtarësimit në bllok. 20 miliardë euro fonde dedikuar për Hungarinë janë ngrirë për shkak të shqetësimeve në lidhje me të drejtat e LGBTQ+ dhe çështje të tjera.

János Bóka, ministri për BE-në i Hungarisë, i tha FT se vendi i tij “nuk i dorëzohet presionit” dhe nuk kishte asnjë lidhje midis Ukrainës dhe aksesit të vendit të tij në fondet e BE-së. “Hungaria ka dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociata” – tha ai.

“Dokumenti i hartuar nga burokratët e Brukselit vetëm konfirmon atë që qeveria hungareze ka thënë për një kohë të gjatë: qasja në fondet e BE-së po përdoret për shantazh politik nga Brukseli” – shkroi ai në X. “Realiteti është se Hungaria nuk ka qenë vërtet fleksibël për këtë. Niveli i zhgënjimit të shteteve anëtare po rritet. Është më i lartë se në dhjetor” – tha për “The Guardian” një burim brenda BE. Sipas tij, Evropa “po fillon të duket e dobët”, pasi Hungaria vazhdimisht mban ose përpiqet të bllokojë vendimet.

Kuptohet se dokumenti është një shënim i shkruar nga sekretariati i këshillit, nën përgjegjësinë e tij dhe mund të ketë rrjedhur qëllimisht për të shtuar presionin ndaj Orbanit përpara takimit të së enjtes.
Disa shtete anëtare po bëjnë presion për nxitjen e nenit 7 të traktatit të Bashkimit Evropian për t’i hequr Hungarisë të drejtën e votës nëse Orbán vazhdon të bllokojë vendimet e BE-së.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, braktisi planet e tij për të dhënë dorëheqjen në korrik mes frikës se Orbán mund të merrte kryesimin në samite derisa të gjendej një udhëheqës i ri. Një diplomat paralajmëroi se përdorimi i nenit 7 ishte zgjidhja e fundit dhe nuk duhet të përdoret pavarësisht zemërimit me Hungarinë. Një tjetër tha se “diçka duhej bërë” veçanërisht duke pasur parasysh se Hungaria do të merrte presidencën e radhës të bllokut në korrik. ©The GuardianLAPSI.al