Ballina Bota “Ndasitë në popullsi kanë krijuar premisat për një të ardhme të pasigurt”/...

“Ndasitë në popullsi kanë krijuar premisat për një të ardhme të pasigurt”/ Pikat e dobëta të koalicioneve të kandidatëve Trump dhe Biden

Sipas rezultateve të garave zgjedhore paraprake në Ajova dhe në Nju Hempshër, Joe Biden dhe Donald Trump duket se do t’i ofrojnë vendit një vazhdim të zgjedhjeve të vitit 2020. Megjithëse arritën fitore të bindshme këtë javë, për të dy kandidatët janë zbuluar tashmë edhe pikat e tyre të dobëta.

Sipas anketimit “VoteCast” të bërë nga agjencia e lajmeve Associated Press në Ajova dhe Nju Hempshër, duket se ish-presidenti Trump ka krijuar një bazë ndjekësish besnikë republikanë. Por kjo besnikëri duket se mbart një çmim: Deri më tani ai nuk ka fituar terren në radhët e të diplomuarve nga universitetet dhe personave që banojnë jashtë qendrave urbane, të cilët mund të jenë vendimtarë për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Presidenti Biden gëzon mbështetjen e një koalicioni të gjerë dhe me përbërje të larmishme nga radhët e demokratëve. Por kjo shtrirje e koalicionit dëshmon edhe për brishtësinë e tij, me dallimet në pikëpamje për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe emigracionin, që mund të ndajnë votat e këtij blloku.

Nga këto luhatje nuk varet vetëm se kush do ta marrë presidencën, por edhe se si e percepton veten vendi më i pasur dhe më i fuqishëm ushtarakisht i botës. Ndasitë në popullsi kanë krijuar premisat për një të ardhme të pasigurtë, ku një grupi votuesish të lodhur nga pandemia dhe çrregullimi politik mund t’i duhet sërish të zgjedhë mes dy drejtimeve shumë të ndryshme.

Për anketimin “VoteCast” u pyetën 1989 votues në Nju Hempshër të cilët morën pjesë në zgjedhjet paraprake republikane dhe 915 votues që morën pjesë në zgjedhjet e demokratëve. Anketimi u bë nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Studimin e Marrëdhënieve Publike.

KUFIJTË E NDIKIMIT TË ISH-PRESIDENTIT TRUMP

Shumë republikanë që kanë adhuruar dikur ish-Presidentët Abraham Linkoln dhe Ronald Regan, janë tashmë në sintoni me ish-presidentin 77-vjeçar Donald Trump, i cili e ka transformuar partinë sipas imazhit të tij.

Në shtete si Nju Hempshëri dhe Ajova ka shumë votues nga qytezat dhe komunitetet rurale. Shumica e tyre nuk kanë diploma universitare. Pothuajse të gjithë janë të bardhë. Në vitin 2020, anketimi VoteCast konstatoi se 43% e të gjithë votuesve amerikanë në zgjedhjet e përgjithshme ishin të bardhë, që nuk kishin bërë studimet e larta. Zoti Trump fitoi bindshëm 62% të votave nga ky grupim katër vite më parë. Kjo e bën atë një kandidat të fortë brenda Partisë Republikane dhe më gjerë.

Anketimi tregon se këtyre votuesve u pëlqejnë mesazhet për kufizimin e emigracionit, për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën dhe për nxjerrjen e më shumë hidrokarbureve nga nëntoka amerikane. Por këto qëndrime politike shkaktojnë gjithashtu kundërshti me votuesit që e shohin emigracionin si pozitiv, apo muret kufitare si joefikase, madje dhe ndoshta të dëmshme, si dhe burimet fosile të energjisë si përkeqësuese të dëmeve nga ndryshimi klimatik.

Megjithë tubimet dhe fjalimet e bujshme, zoti Trump nuk arriti të fitojë votën popullore në zgjedhjet e vitit 2016, apo në ato të vitit 2020. Anketimet tregojnë se ai nuk arrin të tërheqë shumë të diplomuar nga universitetet dhe personat që vetëidentifikohen si të moderuar politikisht.

Në Nju Hempshër, ish-presidenti Trump humbi shumicën e të moderuarve dhe rreth dy të tretat e atyre që identifikohen si të pavarur. Ai humbi gati 6 nga 10 votuesit që kanë bërë studimet e larta dhe ka dëshmuar dobësi të vazhdueshme në radhët e votuesve që jetojnë jashtë qendrave urbane.

Rezultatet e Nju Hempshërit ofrojnë tregues se si mund të jetë elektorati për zgjedhjet kombëtare të nëntorit, pasi në këtë shtet lejohet të votojnë në zgjedhjet paraprake edhe personat që nuk identifikohen me ndonjërën nga partitë. Gati gjysma e pjesëmarrësve në zgjedhjet paraprake republikane nuk identifikoheshin me partinë dhe zoti Trump duket se nuk ka fituar mbështetjen e tyre.

Ndër personat që votuan në zgjedhjet paraprake republikane në Nju Hempshër, një e treta thanë se nuk do të votojnë për zotin Trump në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Gati gjysma e tyre, përfshirë edhe ata që do ta votonin në zgjedhjet e përgjithshme, thanë se do të ishin të pakënaqur nëse ai do të jetë kandidati zyrtar republikan.

Ndërkaq, rivalja e fundit kryesore përballë tij në Partinë Republikane përballet me një problem tjetër: Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley gëzon mbështetje më të gjerë nga të moderuarit dhe votuesit me arsim të lartë, si dhe nga ata që kanë dyshime tek aftësia e zotit Trump për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme. Por, ajo gëzon pak mbështetje brenda bazës së Partisë Republikane. Kjo ia vështirëson asaj gjithnjë e më shumë rrugëtimin drejt marrjes së emërimit si kandidate zyrtare e partisë. Dhe nëse do ta arrinte këtë me sukses, një tjetër sfidë për zgjedhjet e përgjithshme do të ishte mobilizimi i bazës republikane për të dalë në votime.

Emri i Presidentit Biden nuk ishte i përfshirë në fletën e votimit në zgjedhjet paraprake demokrate në Shtetin Nju Hampshër. Demokratët e zhvendosën garën e tyre paraprake në Karolinën e Jugut, duke bërë që votimet në Nju Hampshër të kishin një vlerë simbolike që kërkonte nga mbështetësit e tij të shkruanin emrin e tij.

Disa muaj para zgjedhjeve paraprake, sondazhet nga Associated Press dhe Qendra NORC për Hulumtime të Çështjeve Publike, treguan zbehjen e mbështetjes ndaj zotit Biden.

Sipas sondazheve, inflacioni i lartë ishte shtytësi kryesor për zbehjen e mbështetjes ndaj zotit Biden, ndërsa politikat e tij të suksesshme për infrastrukturën, trajtimin e ngrohjes globale dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve në vend, nuk ndikuan shumë tek votuesit.

Votimi simbolik në Nju Hampshër solli një rezultat të këndshëm për zotin Biden. Tetë në dhjetë votues demokratë e mbështesin punën e presidentit në çështje si ekonomia, çka tregon mbështetje pak më të madhe se në sondazhet në mbarë vendin mes demokratëve, të realizuara nga AP-NORC.

Ky optimizëm vjen mes të dhënave që tregojnë se ekonomia u rrit me shpejtësi gjatë vitit 2023 pas rënies së ndjeshme të inflacionit dhe shtimit të vendeve të punës.

Afro 9 në 10 prej atyre që votuan në zgjedhjet paraprake demokrate thanë se do të votonin për zotin Biden në zgjedhjet e nëntorit. Megjithatë, zoti Biden nuk arriti të fitonte shumicën mes votuesve të pavendosur që zgjodhën të votonin në anën demokrate.

Mes demokratëve nën moshën 45 vjeçare, 81-vjeçari Biden gëzon një mbështetje prej 40%. Shtatë nga dhjetë votues demokratë mbi moshën 45 vjeçare votuan për zotin Biden në Nju Hampshirë, ndërsa rreth dy të tretat e votuesve të moshuar nuk pajtohen.

Në zgjedhjet e vitit 2020, 26% e votuesve ishin jo të bardhë dhe zoti Biden mori mbështetjen e 73% të votuesve të atij grupi, një avantazh që e ndihmoi atë të mundte zotin Trump.

ÇFARË PRITET TË NDODHË NË MUAJT E ARDHSHËM?

Ka ende një numër të madh shtetesh që do të mbajnë zgjedhjet paraprake; do të ketë shumë fjalime të kandidatëve, kuvende kombëtare të partive dhe një numër të madh reklamash dhe postimesh në mediat sociale përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Por me pakësimin e numrit të kandidatëve në zgjedhjet paraprake, ndryshon edhe strategjia kryesore e kandidatëve mbi sulmet ndaj kundërshtarëve. Presidenti Biden tashmë ka filluar të bëjë krahasime mes deklaratave të zotit Trump dhe retorikës naziste. Ai ka fajësuar ish presidentin Trump për rrëzimin e vendimit për çështjen Roe kundër Wade nga Gjykata e Lartë, që e bëri të ligjshëm abortin në nivel federal. Tani e drejta e abortit është kufizuar në shumë shtete të drejtuara nga republikanët. Zoti Trump tashmë ka filluar të sulmojë Presidentin Biden për moshën e madhe dhe aftësinë e tij për të qenë president i vendit.

Gara do të varet nga mënyra se si do të ndërtohen koalicionet e votuesve nga kandidatët në secilin shtet në përpjekjet e tyre për të siguruar 270 votat e nevojshme të kolegjit elektoral. Në këtë drejtim, gara në Nju Hempshër ofron një pasqyrë të strategjive që do të ndiqen nga kandidatët në muajt e ardhshëm në shtetet e tjera amerikane.

Ish Presidenti Trump mund të përpiqet të fitojë duke e rritur shkallën e mbështetjes nga votuesit e bardhë pa diplomë universiteti. Por Presidenti Biden mund të përpiqet të përmirësojë shkallën e mbështetjes nga ky grup votuesish duke reklamuar mbështetjen që ai ka marrë nga sindikatat e punëtorëve.

Presidenti demokrat e ka bërë përparësi faljen e kredive studentore. Kjo mund të tërheqë mbështetjen e të diplomuarve dhe votuesve të rinj. Por votuesit e rinj duket se nuk janë aq të entuziazmuar mbi mbështetjen për zotin Biden. Fushata e zotit Trump sheh potencial në sigurimin e një mbështetjeje më të madhe nga votuesit me ngjyrë, një grup që ka mbështetur në masë dërrmuese demokratët në zgjedhjet e kaluara.

Enigma themelore me të cilën përballen të dyja fushatat është se si të ndërtohet një koalicion fitues. Rezultatet e vendimeve të tyre për këtë çështje do të bëhen më të qarta me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit dhe në ditën e zgjedhjeve kur përfundimisht do të bëhet i qartë fituesi i zgjedhjeve. /Voa/