Një vajzë 20-vjeçare ka ndërruar jetë nga gripi, konfirmojnë nga Klinika për Sëmundje Infektive në Shkup, e cila paraqet vdekjen e shtatë si pasojë e gripit këtë sezon, raporton Alsat. Mësohet se vajza është transferuar nga Klinika e Hematologjisë. Ajo nuk ishte e vaksinuar.
Zllate Mehmedoviç nga Komisioni për Sëmundje Infektive, tha se gripi mund të shkaktojë probleme të mëdha për njerëzit me sëmundje të rënda ose kronike.
” Sa herë që fillon sezoni i vaksinimit të gripit, dihet se është për personat që janë në listën prioritare, për të cilët nuk ka vonesë në vaksinim, janë ndër të parët që vaksinohen dhe për të cilët vaksina do të bëhet gjithmonë.. Ne i përmbahemi rekomandimeve që thamë më herët se maskat duhet të mbahen detyrimisht në objektet shëndetësore në mënyrë që të parandalohet ritransmetimi i virusit nga personi në person, veçanërisht kur tashmë e dimë se kemi njerëz të sëmurë kronikë” , tha Mehmedoviç.
Klinika për Sëmundje Infektive thekson se në të gjithë vendin ka raste të rënda të të sëmurëve me grip të përcjella me pneumoni masive, ndërsa dy pacientë janë me aparate respiratore.
Ndërkohë, MIA raportoi që drejtor i ri i Klinikës për sëmundje ngjitëse pasdite është emëruar dr. Fadil Cana. Dr.Milena Stevanoviq për shtatë vite ka qenë drejtoreshë e Klinikës për sëmundje ngjitëse.
Në janar të 2024 është regjistruar një vdekje nga gripi. Bëhet fjalë për një person 45-vjeçar nga Negotina i cili ishte shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, sipas raportit të fundit për gjendjen me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP).
Ndërkaq, që kur ka filluar sezoni i gripit e deri më tani janë regjistruar shtatë vdekje nga gripi dhe sëmundje të ngjashme me gripin. Personat e vdekur janë nga grupmosha 30 deri në 64 vjeç dhe grupmosha e personave mbi 65 vjeç. Prezenca e influencës A(H1)pdm09 është vërtetuar në pesë nga personat e vdekur dhe një person ka rezultuar pozitiv me Covid-19.