Ballina Bota Putin “lan mëkatet”, presidenti rus zhytet në një vrimë akulli në Rusi...

Putin “lan mëkatet”, presidenti rus zhytet në një vrimë akulli në Rusi (VIDEO)

Vladimir Putin “lan mëkatet” në një temperaturë tepër të ulët. Presidenti i Rusisë u zhyt mëngjesin e së premtes në një vrimë akulli me rastin e festës së Epifanisë Ortodokse.

Kremlini nuk ka publikuar pamje apo fotografi të këtij riti, por zëdhënësi Dmitry Peskov, konfirmoi zhytjen e Putinit në akull. Ai nuk specifikoi lokacionin apo sa minuta ka qëndruar presidenti rus në ujin me temperaturë nën zero. Vitin e kaluar, Putini, duke ndjekur traditën e tij, mori pjesë në larjen e Epifanisë në rajonin e Moskës.

Në 2022, shefi i Kremlinit vendosi që të mos zhytej në akull për shkak të pandemisë koronavirus. Mes tjerash, Peskov tha se pjesëmarrja në këtë rit fetar është çështje personale për të gjithë. Kisha Ortodoske e Rusisë feston epifaninë më 19 janar, ku shumë besimtarë zhyten në akull apo ujë, një veprim që simbolizon pagëzimin e Krishtit.

Për ekspertët, kjo është pjesë e fushatës dhe e propagandës së Putinit, që dëshiron ta shfaqë veten si një personazh i fortë, i aftë për t’i bërë të gjitha.

https://www.youtube.com/shorts/LBwYVjx2Ju0?feature=share

Shpesh është fotografuar duke kalëruar gjysmë i zhveshur, duke u zhytur thellë nën ujë me nëndetëse, duke peshkuar, gjuajtur me armë apo duke bërë palestër me pesha të rënda. Presidenti rus madje mban edhe rripin e zi në xhudo, të cilin ia hoqi federata ndërkombëtare pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.