Nga Xhelal Zejneli
Publie Virgjili Maroni (Publius Vegilius Maro, 70-19 para K.) është poet i madh epik i letërsisë romake. Të dhëna për jetën e tij gjenden tek autorët e lashtë. Lindi në fshatin Anda afër Mantovës në veri të Italisë. U shkollua në Kremonë, në Medionalum (Milano) dhe në Napoli. Mori njohuri për gjuhën greke, për filozofinë etj. Në vitin 53 para K., vajti në Romë për të ndjekur specializimin në lëmin e retorikës. Që andej u kthye në vendlindje. Në idilin e jetës fshatare vazhdoi t’i studionte poetët dhe filozofët antikë grekë. Në vitin 43 para K. Virgjilin e vizitoi Asinie Polion-i i cili e sugjeroi që t’i përkushtohet krijimtarisë letrare. Për arsye politike, i humbi pronat në vendlindje, ndaj u vendos në Romë ku iu bashkëngjit qerthullit letrar të themeluar nga pasaniku dhe shtetari romak, Mecena (Gaius Clinie Maecenas, 68 para K. – 8). Virgjilin dhe Horacin, mbështetësi financiar i poetëve dhe i krijuesve artistikë, Mecena, i futi në pallatin e perandorit Oktavian Augustit. Mecena ishte mik dhe këshilltar i Oktavian Augustit, i cili, sipas disa studiuesve, jetonte me gruan e Mecenës.
Virgjili ishte bashkëkohës:
– i Jul Cezarit (Gaius Julius Caesar, 100-44 para K.), reformator i madh, prijës politik e ushtarak dhe themelues i Perandorisë Romake;
– i Ciceronit (Marcus Tullius Cicero, 106-43 para K.), politikan dhe konsull, orator i shquar dhe prozator, u vra në atentat; është i njohur për sentencën: “Një komb mund t’u mbijetojë të marrëve të vet, madje edhe të marrëve ambiciozë, por nuk mund t’u mbijetojë tradhtarëve që janë brenda”;
– i Horacit (Quintus Horatius Flacus, 65-8 para K.), një nga poetët lirikë më të mëdhenj romakë, i cili në vitin 38 para K. hyri në qerthullin e Mecenës;
– i perandorit Oktavian August (Gaius Julius Caesar Octavianus, 63 para K. – viti 14 pas K.), themelues faktik i Perandorisë Romake dhe perandor i parë i saj; nip nga motra i Cezarit, bir i adoptuar dhe trashëgimtar i Cezarit; që atëherë njihet si Oktavian.
Nën ndikimin e poezisë greke të periudhës aleksandrine që u zhvillua aty nga shekulli III para K., Virgjili krijoi poezi lirike. Për nga përsiatjet dhe idetë, në këtë periudhë Virgjili është i afërt me poetin filozof, autorin e epit filozofik “Mbi natyrën” (De rerum natura), Lukrecin (Titus Lucretius Carus, 99-55 para K.), ndërsa për nga ndjenjat, me njërin prej poetëve lirikë elegjiakë më të mëdhenj romakë Katulin (Gaius Valerius Catullus, rreth 84 – rreth 54 para K.). Katuli ishte përfaqësuesi më i rëndësishëm i të parës shkollë lirike romake – neoterikës.
* * *
LETËRSIA ROMAKE – Përpos krijuesve letrarë të sipërthënë të letërsisë romake, krijues të tjerë të mëdhenj janë edhe: komediografi romak më i fuqishëm Plauti (Tit Makcije Plaut, 254-184 para K.), njëri prej poetëve më të njohur të dashurisë në letërsinë botërore Publie Nazon Ovidi (Publius Ovidius Naso, 43 para K. – 18 pas K.) dhe Petronie Arbiter (Tit ose Gaj, ? – vdiq në vitn 66 pas K.), bashkëkohës i perandorit romak Neronit (Nero Claudius fillius Caesar Augustus Germanicus, 37 pas K. – 68 pas K.).
Me veprën letrare të vet, me motivet, me tematikën, me format dhe me prosedetë e stilit, Virgjili ushtroi ndikim të madh te të gjitha letërsitë evropiane.
Me përmbledhjen prej dhjetë poezive, “Bukoliket” (Poezi baritore, 42-39 para K., që më vonë nëpër dorëshkrime u quajtën ekloge) e përforcoi formën tradicionale të idilit baritor në të cilin barinjtë e viseve të Arkadisë legjendare zhvillojnë dialogë dhe monologë. I frymëzuar nga poeti grek që kishte shkruar idile, Teokriti (300 – rreth 250 para K.), Virgjili krijoi lloj lirik të ri në poezinë romake. Krahas personazheve mitologjike dhe të sajuara, shfaqen edhe bashkëkohësit, kështu që disa poezi të tij kanë karakter alegorie politike. Cilësia kryesore e poezive të tij qëndron në përjetimin poetik krejt të ri të peizazhit, gjë që do të ndikojë fuqishëm te krijuesit letrarë të mëvonshëm.
(Arkadia ishte zonë malore e Peloponezit në Greqi ku banonin kryesisht barinjtë apo çobanët. Te Virgjili, Arkadia është sinonim i një visi ideal barinjsh, ku mbizotëron paqja dhe thjeshtësia mu si në epokën e vjetër. Që këndej e kemi edhe poezinë arkadike – eklogun, idilin, pastoralen).
Vepër e dytë poetike e Virgjilit është epi didaktik “Gjeorgjiket” (Mbi bujqësinë, 37-29 para K.). Përbëhet prej katër librave (këngëve) për bujqësinë, pemëtarinë e drunjtë e tjerë, blegtorinë dhe bletarinë. Është një këngë e jashtëzakonshme për natyrën, për punën në fushë dhe për dashurinë ndaj vendlindjes. Për nga përkryerja e shprehjes dhe tablotë poetike, konsiderohet më e mira vepër e Virgjilit.
Me dy poemat e sipërthëna, “Bukoliket” dhe “Gjeorgjiket” Virgjili bëri emër dhe u bë tejet i njohur.
Epi “Eneida” i bënte jehonë edhe politikës së themeluesit të Perandorisë Romake, Oktavian Augustit, i cili orvatej t’i shtynte fshatarët për të punuar nëpër arat e lëna pas dore.
I preokupuar me pikëpamjet politike të Oktavian Augustit, do t’i rreket punës për të krijuar një ep për stërgjyshërit mitikë të romakëve të lashtë. Shkroi epin e trimërisë “Eneida”, i njohur në përmasa botërore. Për këtë qëllim kishte vajtur në Greqi. Kishte shkuar edhe te rrënojat e Trojës së lashtë. Me t’u kthyer në Itali, në Brindizi, ishte sëmurë dhe kishte vdekur.
Tri veprat e sipërthëna: “Bukoliket”, “Gjeogjiket” dhe “Eneidën” i shkroi në heksametrin epik.
* * *
“ENEIDA” – Është poemë epike. Virgjili i hyri punës për t’i dhënë epokës së Oktavian Augustit një epope romake. Në këtë vepër madhore poeti i këndon zanafillës legjendare të romakëve dhe madhështisë së tyre. Vepra doli në dritë pas vdekjes së autorit. I këndon të kaluarës dhe famës së popullit romak.
I frymëzuar nga epet e Homerit “Iliada” dhe “Odisea”, Virgjili mori prej tyre skemën e kompozicionit dhe shumë prosede të stilit, por ia doli të krijojë një vepër të mëvetësishme në letërsinë romake. Krijoi njëherazi edhe shembullin klasik të epit dhe të stilit epik.
Poeti i këndon heroit trojan Eneut, i cili i shpëtoi vdekjes pas shkatërrimit të Trojës. Eneu, me të birin Aksanin, lundroi drejt Italisë me synimin që në grykën e Tiberit të themelojë një perandori të re. Virgjili donte ta paraqesë Eneun edhe si paraardhës të popullit romak. Me fjalë të tjera, tek ai zënë fill romakët. Tërthorazi, synonte po ashtu që Oktavian Augustin ta paraqesë si të birin e Venerës, për arsye se sipas mitit, Eneu ishte me prejardhje hyjnore.
Epi përbëhet prej 12 librave apo 9896 vargjeve, të kënduara në heksametrin daktilik. Subjekti i poemës ndahet në dy pjesë. Çdonjëra pjesë përmban nga gjashtë libra. Që të dyja përmbajnë 12 sish.
Për nga tematika, pjesa e parë i afrohet “Odisesë” së Homerit dhe në të flitet për shtegtimet plot peripeci e rreziqe të Eneut dhe të bashkëluftëtarëve të tij trojanë.
Pjesa e dytë, në shumë pikëpamje është e ngjashme me “Iliadën” dhe në të flitet për luftërat e Eneut e të bashkëluftëtarëve të tij, në Itali.
Në “Iliadë” Homeri e ka paraqitur Eneun si hero, të paracaktuar për të bërë vepra të mëdha. Këtë veti të fatit të paracaktuar të Eneut, Virgjili e vuri në themel të “Eneidës”, duke e bërë njëherazi edhe forcë lëvizëse të të gjitha ngjarjeve që shtjellohen në vepër.
Kënga e parë (Libri I): Në vargjet e para të këngës së parë, e kemi tematikën e dy poemave homerike: luftërat dhe rravgimet.
Veprimi në ep fillon sipas parimit “in medias res”. Nga Sicilia, Eneu lundron me erëra të mbara drejt brigjeve të Italisë. Lundrimin ia pengon armikja e vjetër e tij dhe e trojanëve, hyjnesha Junona, e cila te grekët quhet Hera.
Eneu ishte bir i Ankisit dhe i hyjneshës Venera (Afërdita). Sipas legjendës, princi trojan Paridi mollën e artë ia dha Afërditës. Këtu zë fill edhe armiqësia e Herës ndaj trojanëve.
Me t’i parë duke lundruar, Junona tërbohet. Për hir të saj, hyjnia e erërave, nëpërmjet një stuhie të fortë ia shkatërron Eneut një pjesë të flotës. Ai detyrohet të zbarkojë në brigjet e Afrikës. E këshilluar nga e ëma Venera (Afërdita), e cila i shfaqet si një vashë gjahtare, Eneu shkon në Kartagjenë. Këtu pritet me bujari nga mbretëresha fenikase Didona, e cila, e ikur nga qyteti i Tirit ku ia kishin vrarë burrin, kishte ardhur në këto vise të largëta për të ndërtuar një qytet të ri, Kartagjenën. Me gostinë e shtruar për nder të miqve të largët, me flakëzën e dashurisë së Didonës për Eneun dhe me lutjet që ajo ia drejton këtij për t’ia treguar me hollësi vuajtjet e tij, mbyllet libri i parë apo kënga e parë.
Kënga e dytë: Në këngën e dytë dhe në të tretën, Eneu ia tregon Didonës përjetimet e veta. Gjatë gostisë, ai flet për fundin tragjik të Trojës.
Grekët duke parë se nuk mund ta merrnin qytetin me trimëri, menduan të ndërtonin një kalë vigan prej druri, në barkun e madh të të cilit ishin fshehur disa nga trimat grekë më të çartur.
Një varg në “Eneidën” e Virgjilit thotë: Timeo Danaos et dona ferentes [Kam frikë prej danajve (grekëve), madje edhe dhurata kur sjellin].
Trojanët u besuan fjalëve të Sinonit grek i cili u tha se kjo ishte një dhuratë e çmuar që do t’u sillte fat e do ta ruante Trojën. Falltari Laokoon i porositi të mos u zënë besë fjalëve të Sinonit. Perënditë armike të trojanëve nxorën nga thellësitë një gjarpër vigan që e mbyti Laokoonin së bashku me dy fëmijët e tij. Trojanët, duke e konsideruar këtë si dënim që i jepej Laokoonit për gënjeshtrën që tha, hoqën çdo dyshim dhe e futën kalin e drunjtë brenda mureve të kështjellës. Natën, në qetësinë e thellë që kishte mbuluar Trojën, luftëtarët grekë të fshehur në barkun e kalit, dalin, i vrasin rojet, i çelin dyert e kështjellës. Si rrufe futen brenda luftëtarët grekë që ishin fshehur në ishullin Tened.
Më në fund Troja u gjend midis heroizmit të qëndresës trojane dhe egërsisë së akejve që vrisnin e prisnin. Sulmet e kobshme të zjarreve digjnin dhe shkretonin në të katër anët.
I porositur nga Hektori icili i fanitet në gjumë, pas shumë trimërish, Eneu, bashkë me babanë Ankisin, me të birin Askanin dhe me shumë trojanë, merr rrugën e mërgimit. Në atë rrëmujë, gruan e vet Kreusën, e humbi nga sytë.
Kënga e tretë: Këtu flitet për rravgimet, bredhjet e Eneut dhe të bashkëluftëtarëve të tij, nëpër dete dhe vende të ndryshme. Më në fund Eneu merr rrugën drejt brigjeve të Italisë. Por, një shtrëngatë e fuqishme i hedh udhëtarët në ishujt Strofadë të detit Jon. Që andej shkojnë në Butrint, ku priten me bujari nga Andromaka, e cila pas vrasjes së Hektorit, bie skllave në duart e djalit të Akilit, Pirro Neoptolemit dhe bëhet grua e tij. Djali i tyre, Heleni, parafolës i dalluar, i profetizon Eneut për rreziqet e shumta me të cilat do të ballafaqoheshin në tokë dhe në det, para se të mbërrinin në Itali. Ai i këshillon t’i bien rreth e rrotull Sicilisë dhe të mos shkojnë nëpër grykëm e rrezikshme që ruhej nga dy përbindësh të tmerrshëm, Skila dhe Karibdi.
(Fatin tragjik të Andromakës e ka paraqitur edhe dramaturgu francez i shekullit XVII Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699) në tragjedinë “Andromaka”).
Eneu e çon tregimin deri në çastin kur mbërrin në Sicili, ku i vdes i ati, Ankisi, në qytetin Drepanon (sot Trapani). Niset nga Sicilia dhe merr rrugën drejt viseve të Italisë së Veriut, por stuhia e hedh në brigjet e Afrikës së Veriut, në trojet ku sundonte mbretëresha Didona, e cila, sipas Virgjilit, themeloi qytetin e njohur në histori, Kartagjenën.
Kënga e katërt: Në këtë këngë apo libër hapet një tablo e bukur, një oazë ku heroi i lodhur dhe i rraskapitur, gjen prehjen dhe dashurinë.
Didona, duke e dëgjuar rrëfimin e Eneut për rravgimet e tij plot rreziqe e fatkeqësi, bie në dashuri me të. Por ajo ishte lidhur me një betim të shenjtë me të shoqin, të cilit derisa ishte gjallë, i kishte thënë se do t’i qëndronte besnike për tërë jetën. Në ndërgjegjen e saj zhvillohet lufta midis ndjenjës së dashurisë dhe detyrës ndaj të shoqit.
Didona dhe Eneu dalin për gjah. Në pyll i zë një shtrëngatë, e ngritur qëllimisht nga Junona. Të gjithë ata që i shoqëronin, shpërndahen të tmerruar. Për t’u mbrojtur, që të dy futen në një guvë. Aty lidhen me martesë, në mes të shkreptimave dhe gjëmimeve, shenja fatale që paralajmëronin luftërat e ardhshme midis Kartagjenës dhe qytetit që do të themelojnë stërnipërit e Eneut, Romës.
Prijësi trojan do të kishte jetuar i shkujdesur nga misioni që ia kishte ngarkuar fati, i lumtur me gruan e tij, Didonën mbretëreshë. Por Jovi (Zeusi) e dërgon lajmëtarin e perëndive të Olimpit, Mërkurin (te grekët – Hermesi) që t’ia përkujtojë Eneut misionin me të cilin ishte nisur nga Troja. E urdhëron të lërë Kartagjenën dhe të lundrojë drejt Italisë. Eneu, pasi e dëgjon mesazhin e perëndisë, përgatitet fshehurazi për nisje.
Didona e heton dhe me lot në sy i lutet të mos e lërë. Por, kur vëren se Eneu nuk thyhet, i drejtohet me fjalët plot zemërim e dhembje. E dërgon të motrën Anën t’i lutet Eneut që ta shtyjë nisjen edhe për ca kohë. Por, lutjet, lotët dhe ankimet s’e ndryshojnë dot gjendjen.
Atëherë, mbretëresha e mjerë, pasi ka humbur çdo shpresë, me një apostrofë plot dhimbje e mëri, u drejtohet hyjnive të hakmerren për të, kundër Eneut dhe trojanëve: Diellit, si dëshmitar i ndjenjës së sinqertë që e lidh atë me Eneun; Junonës, mbrojtëse e Kartagjenës, që kujdesej edhe për jetën martesore, nga e cila ajo (Didona) kishte pësuar një zhgënjim të rëndë; Hekatës, hyjneshës së ferrit, të hijeve dhe të shpirtrave të këqij; Eurieve, demonë të mbretërisë së nëntokës, të ndërgjegjes së vrarë dhe të hakmarrjes.
Pas kësaj apostrofe dhe mallkimeve të rënda që lëshon mbi kryet e Eneut, Didona vret veten me një kamë që ia kishte falur ai. Kështu përfundon kënga e katërt dhe bashkë me të edhe drama e Didonës.
Në të vërtetë, kënga e katërt është vazhdim i këngës së parë, duke qenë njëherazi edhe roman dashurie ndërmjet Didonës dhe Eneut, që përfundon tragjikisht. Eneu ikën, ndërsa Didona vret veten.
Kënga e pestë dhe e gjashta: Eneu lundron përsëri drejt Sicilisë dhe në qytetin Drepanon organizon lodra e ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së babait të vet, Ankisit. Gratë trojane, të frymëzuara nga Junona, të lodhura nga shtegtimet e gjata plot rreziqe, ua vënë zjarrin anijeve. Shpëtojnë vetëm katër anije me ndihmën e Jovit, i cili lëshon një rrebesh shiu.
Eneu niset nga Sicilia drejt brigjeve të Italisë, shkon në Kuma dhe që andej mbërrin në grykën e lumit Tevere. Mbreti i Laciumit, Latini, i pret trojanët me bujari dhe ia jep Eneut dorën e së bijës, Lavinia, ngaqë orakulli kishte folur që më parë për martesën e saj me heroin trojan. Junona, duke mos e duruar vendosjen e trojanëve në Lacium, nxit kundër Eneut mërinë e mbretit të rutulëve, Turnit, të cilit ia kishin premtuar dorën e Lavinias.
Këngët VII deri XII: Në këtë pjesë të poemës përshkruhen luftërat midis rutulëve, të prirë nga mbretit i tyre Turni dhe trojanëve, me Eneun në krye. Nga të dyja palët flakërojnë armët dhe shquhen heronjtë për trimëritë e tyre.
Si në pjesën e parë të rravgimeve, ashtu edhe në këtë pjesë, shumëçka na kujton Homerin. Kënga e dymbëdhjetë dhe e fundit, flet për dyluftimin ndërmjet Eneut dhe Turnit që duhet të përcaktojë fundin e luftës dhe fitoren. Pas një përleshjeje të ashpër, Turni vritet.
* * *
Shumë motive, situata, mënyra shtjellimi të ngjarjeve, Virgjili i mori prej Homerit, por secili prej tyre vuri në vepër vulën e individualitetit krijues të vet. Dallimi kryesor qëndron në frymën e përgjithshme që përshkon veprën e secilit prej tyre. Nëse poemat homerike karakterizohen nga natyrshmëria dhe spontaniteti, “Eneida” është një vepër e medituar, e filtruar nëpërmjet një procesi të studiuar të arsyetimit për qëllime të caktuara. Nëse në poemat e Homerit, krahas heronjve të idealizuar, është dhënë edhe një tablo realiste e shoqërisë njerëzore në një stad të caktuar të zhvillimit të saj, në “Eneidën” e Virgjilit vihet re prirja për të idealizuar jo vetëm heronjtë, por edhe lashtësinë e Romës dhe të fiseve të tjera italike.
Pra, disa historianë të letërsive antike thonë se në thelbin e “Eneidës” ndodhet e tërë “Iliada” dhe “Odisea”. Megjithëkëtë, origjinaliteti i Virgjilit është i veçantë. Të veçanta janë sidomos përshkrimet e stuhive, dashuria e Eneut dhe Didonës, roman i vërtetë në vargje, krahasimet e ndryshme dhe qartësia e kthjellët. Lidhshmërinë e veprës, Virgjili nuk arriti ta përkryejë ngase papritmas e rrëmbeu vdekja.
Pjesa ku flitet për vdekjen e Laokoonit e çon lexuesin në domenin e arteve figurative. Sot dihet në mënyrë të sigurt se Virgjili e kishte parë kompleksin e mermertë të tre skulptorëve të shkollës së Rodit, ku tregohet lufta e Laokoonit me gjarpinjtë. Kjo përmendore e mermertë u krijua në vitin 50 para K. dhe u dërgua në Romë. Më vonë ishte mbuluar nën rrënojat e një pallati, për t’u nxjerrë më 14 janar 1506. Sot ruhet në Muzeun e Vatikanit.
Në bazë të këtij kompleksi prej mermeri, shkrimtari gjerman Lesing (Gotthold Ephraim Lessing, 1729-1781), në vitin 1766 shkroi veprën “Laokooni ose për kufijtë e artit figurativ dhe poezisë” që kishte një rëndësi të madhe për zhvillimin e estetikës së kohës së re.
* * *
Në poemën epike “Eneida”, Virgjili ka trajtuar një lëndë të gjerë legjendare nga mitologjia romake, me prirje të theksuar politike, për të kënduar me një stil të ngritur, zanafillën e lashtë të Romës, lavdinë e saj të ardhme si dhe doket e virtytet shpirtërore të fiseve italike. Për këtë arsye “Eneida” është quajtur epope kombëtare e romakëve.
“Eneida” është shkruar me një stil të ngritur plot patos, me varg të rrjedhshëm dhe elegant, me një gjuhë të pasur në shprehje e figura. Bashkëkohësit e poetit, veprën e pritën me entuziazëm.
Edhe më vonë, në kohën e mesme dhe në epokën e Rilindjes e këndej, “Eneida” është konsideruar si një nga veprat më të bukura që ka krijuar gjenia njerëzore.