Ballina Bota Dyshimet: Rusia, plan për bazë bërthamore hapësinore

Dyshimet: Rusia, plan për bazë bërthamore hapësinore

Rusia mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore hapësinore. Dyshimet u ngritën në rangjet e larta të politikës amerikane, pas denoncimit të kreut të Komisionit për Zbulimin në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan se Moska po zhvillon një projekt që përbën kërcënim të rëndë për sigurinë kombëtare.

Majk Tërner nuk u dha mediave, detaje për këtë projekt pasi informacionet janë në dosjet që përbëjnë sekret shtetëror. Por që ato të bëhen publike dhe administrata amerikane të marrë masa, Tërner i bëri thirrje presidentit Xho Bajden t’i heqë nga lista e sekreteve shtetërore.

Media të ndryshme prestigjioze, si Nju Jork Tajms citojnë burime të brendshme në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë që thonë se ushtria ruse ka në plan të ndërtojë një bazë ushtarake me armë bërthamore në hapësirë, për të goditur satelitët. Pasojat mund të jenë fatale dhe mund të çojnë në kolaps sistemin e komunikimit mbi të cilin bazohet e gjithë jeta moderne.

Moska hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur ato “një tjetër dredhi” të Shtëpisë së Bardhë.

 

Kërcënimi rus, Blinken flet nga Tirana: Po e marrin shumë seriozisht

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u pyet nga Tirana, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, edhe për kërcënimin që po i kanoset botës nga Rusia.

Blinken u shpreh i prerë se kërcënimi po merret shumë seriozisht, por theksoi se fokusi i presidentit të SHBA, Biden, është siguria e popullit amerikan.

“Kjo nuk është një aftësi aktive, por është diçka potenciale që po e marrin shumë seriozisht dhe do të kemi për të thënë më shumë, shumë shpejt. Por fokusi i presidentit Biden është siguria e popullit të SHBA, kjo është e para që ai mendon.

Më tej, ai foli edhe për situatën në Lindjen e Mesme. “Sa i përket çështjes së pengjeve në Gaza, ne i kemi dhënë një propozim që Katari dhe Egjipti të punojnë me Izraelin dhe është në përgjigje të Hamasit. Ka disa gjëra që ende nuk janë miratuar, por po punojmë për një marrëveshje. Bashkërisht të gjejmë një dakordësi dhe kjo është e mundur edhe pse e dimë që ka çështje shumë të vështira”, tha Biden.

LEXO EDHE:

Zyrtarët amerikanë reagojnë pas alarmit të ligjvënësit për kërcënimin e sigurisë