Ballina Bota Përplasja Trump-Biden mbi NATO-n pasqyron ndasitë mbi rolin e Amerikës në botë

Përplasja Trump-Biden mbi NATO-n pasqyron ndasitë mbi rolin e Amerikës në botë

Ish Presidenti Donald Trump të enjten përsëriti komentet e mëparshme se ai nuk do të mbronte vendet anëtare të NATO-s, të cilat nuk kanë përmbushur objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes. Përplasja mes ish Presidentit Trump dhe Presidentit Biden për NATO-n është një shenjë tjetër e ndasive mes mbështetësve të tyre mbi rolin e Amerikës në botë.

Dy vjet pasi Rusia filloi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, përmes një deklarate, ish Presidenti dhe kandidati i pritshëm republikan për President, Donald Trump tronditi aleatët e NATO-s.

“Një nga presidentët e një vendi të madh më pyeti ‘a do të na mbroni nëse ne nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia?’ Ju nuk keni paguar? Ai më tha po. Unë i thashë se atëhere nuk do t’ju mbroj. Në fakt, do t’i inkurajoja ata (Rusinë) të bënin çfarë të donin me ju”, tha ish Presidenti Trump.

“A mund ta imagjinoni një koment të tillë nga një ish President i Shteteve të Bashkuara?”, tha zoti Biden në reagimin e tij.

Presidenti Biden, i cili e ka bërë forcimin e koalicionit kundër armiqve një nga pikat qendrore të politikës së jashtme, e kritikoi ashpër qasjen e paraardhësit të tij.

“Asnjë president në historinë tonë nuk është përkulur para një diktatori rus. Më lejoni ta them me qartësinë më të mirë të mundshme: unë kurrë nuk do ta bëjë këtë. Kjo qasje është e pamend, e turpshme, e rrezikshme dhe jo amerikane.”

Presidenti Biden ka thënë se ai do të respektojë “angazhimin e shenjtë” të nenit 5 të kartës së NATO-s, që parashikon mbrojtjen e një vendi anëtar të aleancës në rast të një sulmi nga një vend tjetër jo aleat. Kjo është në kundërshtim me qëndrimin e zotit Trump, i cili vazhdon me qasjen e tij izolacioniste “Amerika e Para”. Komentet e ish Presidentit Trump kanë shkaktuar ankth në mesin e aleatëve.

“Këtë vit, 18 vende aleate pritet të shpenzojnë 2 për qind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto në fushën e mbrojtjes. Kjo është një shifër tjetër rekord dhe rritje e gjashtëfishtë krahasuar me vitin 2014, kur vetëm tre vende aleate e përmbushnin këtë objektiv”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Këshilltari i lartë i fushatës së zotit Trump, Jason Miller tha për Zërin e Amerikës përmes një deklarate, se zoti Trump “ka bërë që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për NATO-n, duke u kërkuar atyre që të paguajnë”.

Një tjetër aleat i zotit Trump, Gjenerali në pension, Keith Kellogg, ka sugjeruar krijimin e një sistemi me faza, sipas të cilit, vendet që nuk shpenzojnë 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, nuk do të përfitonin nga mbrojtja që parashikon neni i 5.

Të tjerët thonë se sinjalet nga ish Presidenti Trump dhe aleatët e tij kanë tejkaluar qasjen e izolimit, duke rënë ndesh me “thelbin e politikës së frenimit” të një sulmi nga një vend armik.

“Zoti Trump po përpiqet të fitojë pikë përmes qëndrimeve të tilla, prej të forti. Vendosmëria amerikane në skenën ndërkombëtare ka qenë shumë e fortë për miqtë e Amerikës. Por, kjo është një lloj fortësie në të kundërt, që do ishte më mirë të mos shfaqej fare”, thotë Kristine Berzina nga Fondi Gjerman Marshall.

Politika e jashtme tradicionalisht nuk ka qenë një çështje kyçe në zgjedhjet amerikane. Megjithatë, duke marrë parasysh kritikat e zotit Trump ndaj NATO-s, çështja më e gjerë e rolit të Amerikës në botë mund të bëhet një tjetër temë, që mund të shkaktojë ndasi mes votuesve amerikanë.

“Kjo është një çështje shumë e politizuar, e cila po përdoret nga zoti Trump për të motivuar bazën e mbështetësve të tij. Por, ka një kuptim themelor mes amerikanëve, se kjo aleancë është e rëndësishme”, thotë Clifford Young nga organizata “Ipsos Public Affairs”.

Sipas një anketimit të organizatës Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, të kryer në tetor, vetëm 50 për qind e republikanëve besojnë se Shtetet e Bashkuara përfitojnë nga aleancat transatlantike, krahasuar me 80 për qind të demokratëve dhe 63 për qind të votuesve të pavarur./VOA