Nga The Economist
Përktheu: Jona Velia-Vizionplus.tv
“Si duhet parë ekonomia kineze?”, pyeti Li Qiang, kryeministri i vendit, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos më 16 janar. “Është e ngjashme me pamjen e Alpeve,” sugjeroi ai, një “vargmal i valëzuar” që vlerësohet më së miri nga larg.
Shifrat zyrtare të publikuara të nesërmen zbuluan dy valëzime të dukshme në peizazhin ekonomik të Kinës. Popullsia e vendit shënoi rënie në vitin 2023 për të dytin vit radhazi. Ndërkohë, PBB-ja e saj u tkurr.
Në punën e tij të mëparshme si shef i Partisë Komuniste të Shangait, Z. Li mbikëqyri një bllokim të rreptë të qytetit për të mbajtur nën kontroll shpërthimin e Covid-19. Pasi Kina braktisi masat e marra gjatë pandemisë në fund të vitit 2022, shumë njerëz ranë “pre” e virusit duke humbur jetën, megjithëse mjekëve iu kërkua t’i atribuonin vdekjet shkaqeve të tjera.
Një model akademik, duke u mbështetur në përvojën e Hong Kongut, sugjeroi se numri kombëtar i vdekjeve mund të kishte qenë deri në 1.4 milion midis dhjetorit 2022 dhe shkurtit 2023. Analiza e The Economist vlerësoi se virusi do të merrte rreth 1.5 milion jetë nëse lihej të përhapej i pakufizuar.
Të dhënat zyrtare të publikuara këtë javë treguan se vdekjet nga të gjitha shkaqet në vitin 2023 u rritën në 11.1 milionë, nga 10.4 milionë një vit më parë. Rritja prej 0.7 milion është më e ulët se vlerësimet e modeluara të numrit të vdekjeve nga Covid.
Por disa nga vdekjet e përfshira në këto vlerësime do të kishin ndodhur në muajin e fundit të 2022. Ndërkohë vlerësohet se disa nga të moshuarit apo persona me probleme shëndetësore që ndërruan jetë si pasojë e Covid-19 në fillim të 2023 mund të kishin vdekur gjithsesi nga implikacioni të tjera shëndetësore para se të mbaronte viti. Numri zyrtar është brenda gamës së gjerë të rezultateve të mundshme të nxjerra nga modeli ynë. Në Kinë është relativisht e lehtë të zbulosh shkakun e një vdekjeje. Por është më e vështirë të pretendosh se nuk ka ndodhur kurrë.
Rritja e vdekjeve u pasqyrua nga një rënie e lindjeve, e cila ra me mbi gjysmë milioni pavarësisht rihapjes së Kinës. Gjithsesi, popullsia e vendit ra me më shumë se 2 milionë vitin e kaluar. Po ashtu mbi një e pesta e popullsisë kinezë është 60 vjeç e lart. Nëse këta 297 milionë kinezë të moshuar do të krijonin “shtetin” e tyre, ata do të ishin vendi i katërti më i madhi në botë.
Pavarësisht nga zvogëlimi dhe plakja e popullsisë së saj, Kina lufton për të punësuar më të rinjtë. Pasi shkalla e papunësisë mes të rinjve urbanë tejkaloi 21% në qershor, Kina ndaloi papritmas publikimin e shifrave për të. Këtë javë, Byroja Kombëtare e Statistikave filloi publikimin e një mase të rishikuar e cila përjashton studentët që mund të kërkojnë punë. Sipas këtij treguesi të ri, papunësia e të rinjve në qytetet e Kinës ishte 14.9% në dhjetor.
Është e vështirë të dihet se sa përmirësim paraqet kjo shifër, sepse statisticienët nuk treguan se si do të dukeshin shifrat e kaluara sipas metodës së re, në mënyrë që të bëhej krahasimi i drejtë mes shifrave, tanimë të kalkuluara me metodologji të ndryshme. Përjashtimi i atyre studentëve që kërkonin punë mund të kishte bërë një ndryshim të madh që do përkthehej në shifra. Në prill të vitit të kaluar, një zyrtar zbuloi se pothuajse 39% e të rinjve të papunë të Kinës nuk kishin përfunduar ende studimet. Heqja e tyre nga forca e punës, dhe rrjedhimisht heqja e tyre nga numërimi i papunësisë, do të kishte ulur normën e papunësisë së të rinjve për shifrat e pasqyruara në mars 2023 nga 19.6% në 13%. (Megjithatë, shkalla do të ishte më e lartë se 13% nëse studentët e punësuar do të zbriteshin gjithashtu nga forca e punës.)
Në një tjetër largim nga normat statistikore, Li zbuloi shifrën e progresit të Kinës për vitin 2023 në fjalimin e tij në Davos, një ditë përpara publikimit të planifikuar. Ekonomia u rrit me 5.2% në terma realë, duke përmbushur lehtësisht objektivin zyrtar të qeverisë prej rreth 5%. Konsumi (privat dhe publik) kontribuoi me mbi 82% të kësaj rritjeje, përqindja më e lartë e tij që nga viti 1999, duke kompensuar disa nga dobësitë e qëndrueshme në tregun e pronave të vendit.
E gjithë kjo duket mirë parë nga larg. Por parë me kujdes, në vend që të vlerësoni pamjen nga një distancë, peizazhi duket i gënjeshtërt. Çmimet në të gjithë ekonominë e Kinës po bien mesatarisht. Subjektet janë të përqendruara në ushqim dhe karburant, por nuk kufizohen në to. Çmimi i automjeteve, për shembull, ra me 4% në 2023. Deflatori i PBB-së, një masë e gjerë e çmimeve, ra në vitin 2023 për të pestën herë në 40 vjet. Si pasojë, PBB-ja nominale e Kinës, e cila nuk bën rregullime për ndryshimin e çmimeve, u rrit me vetëm 4.6% në vitin 2023.
Për të luftuar këtë presion deflacioni, Banka Qendrore e Kinës lehtësoi politikën monetare vitin e kaluar edhe pse Rezerva Federale e Amerikës vazhdoi të rriste ndjeshëm normat e interesit. Rritja e lëkundur e Kinës, goditjet e saj rregullatore dhe rivaliteti i saj gjeopolitik me Amerikën friksuan gjithashtu llojin e investitorëve kozmopolitë që mblidhen në Davos. Një tjetër indikatorë është se monedha vendase u dobësua kundrejt dollarit në vitin 2023. Në të vërtetë PBB-ja e Kinës, e konvertuar në dollarë sipas kursit të këmbimit të tregut, ra në vitin 2023, edhe pse PBB-ja e Amerikës mund të jetë rritur me 6% ose më shumë vitin e kaluar në terma nominalë.
Kurset e këmbimit, si vargmalet malore, priren të luhaten. Megjithatë, edhe dollari mund të mos jetë gjithmonë aq i fortë. Por, ekonomistët kanë filluar të pyesin veten nëse pengesat e fundit të Kinës janë pararojë e diçkaje më themelore që e mban vendin prapa. Sipas disa parashikimeve, PBB-ja e Kinës mund të ndalojë rritjen PBB në krahasim me Amerikën në dekadën e ardhshme apo më shumë, dhe të humbasin terren më pas. Flitet shumë për “kulmin e Kinës”. Fjalimi i madh i Li ishte një mundësi për ta ndryshuar pak këtë perceptim. Por në fshatin alpin të Davosit, metaforat malore janë të vështira për t’u shmangur./vizionplus.tv/