Ish-presidenti i Zyrës Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Hans-Georg Maassen, është duke u hetuar nga ish-agjencia e tij, raportoi të mërkurën gazeta gjermane Bild.
Maassen, të cilin e larguan nga detyra, pasi u duk se nënvlerësonte dhunën e ekstremit të djathtë kundër migrantëve, është anëtar i partisë së qendrës së djathtë Bashkimi Kristjan-Demokrat (CDU) të ish-kancelares Angela Merkel.
Hans-Georg Maassen: Një karrierë e diskutueshme
Ish-shefi i spiunazhit gjerman Hans-Georg Maassen nuk është i panjohur për polemika. Gjatë gjithë karrierës së tij atë e kanë akuzuar për parregullsi dhe shumë dyshojnë se ai simpatizon ideologjinë e ekstremit të djathtë.
Hans-Georg Maassen, ish-kreu i Zyrës për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV), shërbimi kombëtar i inteligjencës, është kritikuar shpesh për deklaratat dhe veprimet e tij, raporton Deutsche Welle.
Si pjesë e hetimit, sipas gazetës Bild, Zyra Federale për Mbrojten e Kushtetutës (BfV) i kërkoi Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) informacion në lidhje me Maassen-in.
Ish-shefi i BfV tha se ishte “i indinjuar” dhe “do të kërkonte informacion se çfarë të dhënash ruajnë ish-punonjësit e mi për mua”.
Gazeta Bild raportoi se një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Brendshme, përgjegjëse si për Zyrën Federale për Mbrojten e Kushtetutës ashtu edhe për Zyrën Federale të Policisë Kriminale, nuk e mohoi se kishte pasur hetim për Maassen-in.
“Ne nuk komentojmë për çështje individuale, qoftë edhe vetëm për arsye të privatësisë,” tha ajo për gazetën.
Maassen tha se nëse ai do të hetohej nga BfV, ky do të ishte persekutim politik.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është e qartë se Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk përdoret më për të mbrojtur Kushtetutën, por përkundrazi keqpërdoret për të mbrojtur qeverinë dhe për të luftuar dhe përndjekur politikisht kritikët e qeverisë,” tha Maassen në një deklaratë në rrjetin X, të njohur më parë si Twitter.
Tentativa e përjashtimit nga CDU
Maassen u detyrua të linte postin e tij si kreu i shërbimit të inteligjencës kombëtare të Gjermanisë në vitin 2018, pasi u duk se nënvlerësonte seriozitetin e dhunës së dukshme të së djathtës ekstreme në qytetin lindor të Chemnitz-it.
Ai kandidoi pa sukses si kandidat i CDU-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në Turingi.
Udhëheqja e CDU-së ka akuzuar Maassen për përdorimin e gjuhës së konspiracionistëve dhe antisemitëve. Maassen, 60 vjeç, është kritikuar për disa deklarata në rrjetet sociale.
Udhëheqësit e partisë u përpoqën ta përjashtonin për postimet në Twitter rreth “racizmit eliminues kundër të bardhëve”, por një komision partiak në Turingi vendosi muajin e kaluar se ai mund të qëndronte edhe më tej anëtar i CDU-së.