Udhëheqësi opozitar rus, Alexei Navalny, ka vdekur në burg, ka thënë shërbimi kombëtar i burgjeve në Rusi. Kjo vdekje pritet të shihet si vrasje politike që do t’i atribuohet presidentit rus, Vladimir Putin.
Navalny, 47 vjeç, njëri nga kritikuesit më të dukshëm e më të qëndrueshëm të Putinit, po mbahej në një burg rreth 40 milje larg Rrethit të Arktikut, ku ishte dërguar për ta vuajtur dënimin me 19 vjet burgim nën një “regjim special”, raporton gazeta “The Guardian”.
Në fillim të dhjetorit, ai ishte zhdukur nga një burg në rajonin Vladimir, ku ishte duke vuajtur një dënim me 30 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm e mashtrim, të cilat i kishte quajtur hakmarrje politike për udhëheqjen e opozitës kundër Kremlinit nga dekada e kaluar. Ai nuk priste që të lirohej përderisa presidenti rus, Vladimir Putin, të jetë gjallë.
Në vitin 2020, Navalny kishte rënë në gjendje kome pas helmimit të dyshuar me agjentin nervor noviçok nga shërbimi rus i sigurisë, FSB, dhe ishte dërguar në Gjermani për trajtim.
Ai ishte shëruar dhe ishte kthyer në Rusi më 2021, ku ishte arrestuar nën akuzën për shkeljen e lirimit me kusht dhe ishte dënuar në njërin nga disa rastet me burgim që gjithsej do t’i kushtonin me mbi 30 vjet prapa grilave.