Sipas statutit, Kongresi mund të thirret vetëm me kërkesë të kryetarit të partisë ose me kërkesë të 2/3 të përbërjes së Kuvendit të partisë, tha Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët, i pozicionuar në krah të Arben Taravarit. Ai shtoi se Kongresi i thirrur nga Ziadin Sela është i jashtëligjshëm. Aliu thotë se kanë dëshmi që krahu i Selës në ASH ka bërë falsifikime dhe uzurpime të identitetit të kuvendarëve, raporton Portalb.mk.
“Duhet të kenë 2/3 e kuvendarëve legjitim të Kuvendit të partisë, por kanë votuar siç thash më lartë vetëm 69 prej tyre. Konstatojmë se kjo është shkelje e rëndë e statutit të partisë, por edhe vepër penale pasi nënkuptohet se është bërë manipulim i listës së kuvendarëve dhe në fund, përveç shkeljeve satutare të konfirmuara siç përmenda dhe të tjerave që jemi në proces për t’i konfirmuar në vijim, vendimet e nxjerra nga i ashtuquajturi Kuvend i 10.02.2024, mund të përbëjnë edhe vepra penale në rast se vërtetohen se për iniciativën për shkarkim të kryetarit, si dhe për thirrjen e Kongresit, nuk kanë votuar 2/3 e kuvendarëve legjitim të partisë sonë. Pra, edhe njëherë përpara jush dua të theksoj se shumicën në Kongres, shumicën në Kuvend dhe shumicën e Kryesisë së partisë e ka kryetari Taravari”, tha ndër të tjera Aliu.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar krahu i Ziadin Selës, nga ku thonë se për Kongres të cilin e kanë thirrur, dje për sot, ka një sërë shkeljesh.
“Në radhë të parë nuk janë ftuar delegatët e Kongresit, as zyrtarët më të lartë, as deputetët, as shumica e delegatëve, që tregon se po përgaditet falsifikimi i radhës. Përveç kësaj, në nenin 28 të Statutit thuhet se me punimet e Kongresit, deri në momentin e zgjedhjes së kryesisë së punës, udhëheq Sekretari i përgjithshëm. Kush do ta hapë dhe udhëheq të ashtuquajturin Kongres që do të mbahet sot? Duam të njoftojmë mbarë opinionin, anëtarët e Aleancës për Shqiptarët dhe delegatët e Kongresit, se mbledhja e sotme është jolegjitime dhe jolegale. Kongresi i vetëm legal mbahet të dielën, më 18 shkurt, me fillim në ora 13:00 në sallën e Operas dhe Baletit në Shkup. Çdo thirje tjetër është shkelje statutare dhe mbledhje joligjore”, thonë nga ASh-ja e Ziadin Selës.
Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët ka thirrur dy kongrese të jashtëzakonshme të partisë. Kryetari i partisë, Arben Taravari ka thirrur kongresin e jashtëzakonshëm sonte (16 shkurt) në Shkup. Ndërsa kryetari i Kuvendit të partisë, Ziadin Sela ka thirrur kongresin e jashtëzakonshëm të dielën (18 shkurt) në Shkup.
Aleanca e përçarë
Aleanca për Shqiptarët është e përçarë në dy grupe. Kryetari i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim, në kuadër të këtij bashkëpunimi Taravari ai ka shpallur edhe kandidaturën e tij për president.
Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën me 10 shkurt ka ngritur iniciativë për shkarkimin e kryetarit të ASh-së Arben Taravari. Me 18 shkurt është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, me të cilin pritet të marrë formë shkarkimi i Taravarit.
Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i cili i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”.
Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.