Ballina Bota Trump alarmon NATO-n: Rusia të sulmojë çdo anëtar që nuk paguan detyrimet...

Trump alarmon NATO-n: Rusia të sulmojë çdo anëtar që nuk paguan detyrimet financiare

Në mesin e fushatës elektorale, ish-presidenti amerikan Donald Trump rindez debatet për qëndrimin e tij lidhur me NATO. Nga një tubim në Karolinën e Veriut, republikani cili nuk i ka fshehur kurrë kundërshtitë lidhur me aleancën ushtarake, konfirmoi se nuk do të zbatojë klauzolën e mbrojtjes kolektive nëse do të rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Madje ai shkoi më tej, duke e inkurajuar Rusinë të sulmojë çdo vend të NATO-s që nuk i përmbahet marrëveshjeve financiare, për të paguar pjesën e vet të detyrimeve.

“Unë thashë: nuk paguani…Jeni kriminela. Jo unë nuk do t’ju mbrojë. Në fakt do të inkurajoj Rusinë të bëjë çfarë të dojë. Duhet të paguani”, tha ai.

Kjo ishte përgjigja që Trump pretendonte se i kishte dhënë liderit të një vendi të fuqishëm siç e cilëson, që e kishte pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin nëse sulmohej nga Moska në rastin se nuk i kishte përmbushur detyrimet financiare brenda aleancës.

Deklarata e Trumpi, i cili ka qenë dhe synon të marrë sërish frerët e anëtarit më të fuqishëm të NATO, me siguri që do të alarmojë aleatët të cilët mbështeten në zotimin për të mbrojtur secilin prej tyre që sulmohet. Në një deklaratë Shtëpia e Bardhë i cilësoi komentet si të tmerrshme.

Një zëdhënës u shpreh se ish-presidenti po inkurajonte sulmet ndaj aleatëve më të ngushtë, kundër regjimeve vrastare. Trump, kandidati favorit i republikanëve në zgjedhjet e këtij viti ka qenë prej kohësh kritik i NATO-s, dhe asaj që e sheh si barrë të tepërt financiare ndaj Shteteve të Bashkuara, për të garantuar mbrojtjen e 30 vendeve të tjera. /A2CNN