Ballina Aktualitet (VIDEO) Ndarja e Aleancës, Taravari mbledh partinë në Kumanovë, Sela në Shkup

(VIDEO) Ndarja e Aleancës, Taravari mbledh partinë në Kumanovë, Sela në Shkup

Vijojnë turbulencat në partinë e Aleancës për Shqiptarët. Përplasja brenda Aleancës për Shqiptarët ka vijuar me shkarkime të drejtorëve dhe të kryesive të degëve, të cilët kanë mbështetur kryetarin e partisë Arben Taravarin.

Të martën përkrahësit e Ziadin Selës, nëpërmjet Komisionit kadrovik të partisë, i propozuan kryeministrit shkarkimin e dy ministrave – atë të Shëndetësisë dhe atë të Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Të dy ata në mbrëmje mbajtën konferencë për shtyp para Qeverisë, dhe këtë iniciativë e quajtën hakmarrje politike.

Poashtu një ditë më parë u shkarkua Bujare Abazi nga posti i drejtorit të “Postës së Maqedonisë së Veriut” dhe në vend të saj u zgjodh Idri Istrefi. Nga posti ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së, u shkarkua Gazmend Abdija.

Po ashtu, Kuvendi i degës së ASH-së në Kumanovë, bëri me dije se me shumicë absolute ka shkarkuar nga pozita e kryetarit të degës Arsim Hasanin.

Një ditë më parë edhe kryetari i partisë Arben Taravari, bëri me dije se aktivistët e ASH-së, që janë në mbështetje të tij po kërcënohen me largim nga puna.

Aleanca është ndarë në dy pjesë, Taravari, që dëshiron të shkoj në zgjedhje me opozitën dhe Ziadin Sela, që dëshiron që ASH të garoj e vetme, dhe gjithashtu synon rikthimin e tij në krye të partisë.

Të shtunën Ziadin Sela ka thirrur Kuvendin e partisë. Ndërkaq, përmes një reagimi në facebook, ASH thotë se një pjese të kuvendarëve u është dërguar porosi për tubim në qytetin e Kumanovës dhe më pas për takim me Taravarin.

ASH

“Ajo që duam t’ju bëjmë me dije është që askush nuk duhet të bëhet pre e dezinformatave se mbahet Kuvendi i Partisë, sepse siç do të konkludoni vet edhe nga ftesa, bëhet fjalë për tubim dhe takim. Kuvendi i Partisë konform statutit të partisë është caktuar për të shtunën në ora 13.00”.

Kujtojmë që Sela në vitin 2022 u dorëhoq përshkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet komunale, duke ja lënë vendin Arben Taravarit,i cili kishte rifituar Gostivarin dhe e kishte mposhtuar kandidatin e pushtetit edhe përkundër presioneve të mëdha që thoshte se ia kishte adresuar pushteti.

Emine Ismaili /SHENJA/